KORÇË- Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka komentuar nga Korça dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj. Ai tha se duket si një paralajmërim stuhish të reja furtune që do i japë fund kësaj qeverisje.

“Duke mos pasur dijeni për arsyet e dorëheqjes do thosha se është paralajmërim stuhish të reja furtune që do i japë fund kësaj historie qeverisje”, u shpreh Dule.

I pyetur nëse po shkon vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme, Dule deklaroi se jeta politike i ngjan një moçali me kuptimin denotativ dhe konotativ.
“Strukturat shtetërore të destinuara nga kushtetuta dhe ligjet për t’u vënë fre këtyre fenomeneve janë në status të kapur. Opinioni publik vuan nga fenomeni i mithridatizmit. Shoqëria jonë si mithridati që merrte një dozë helmi çdo ditë që të fitonte imunitet ndaj një fenomeni të mundshëm edhe shoqëria jonë po merr një dozë helmi nga skandalet e përditshme edhe kur ato janë të pakonceptueshme për një shoqëri demokratike. Duhen vënë në funksion sinjalet e alarmit”.

Për sa i përket garancisë për zgjedhje të ndershme pas deklaratës së kryebashkiakut të Durrësit, Dule tha se faktet e publikuara në çdo vend të civilizuar do të kishin sjellë dorëheqjen e kryeministrit.
“Fakti tronditës që do kishte shkaktuar dorëheqjen e kryeministrit në çdo vend të civilizuar u bë publik. Pushteti është blerë nga krimi për llogari të rilindjes. A ka cikël më vicioz për një vend?!”, u shpreh Dule.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb