Pas dorëheqjeve kolektive, Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani e Mitrovica e Veriut, kanë mbetur pa kryetarë. E deri në zgjidhjen e drejtuesve të rinj, procesi në fjalë mund të fillojë pas 40 ditësh.
Sipas rregullës zgjedhore, zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të parakohshme nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe më vonë se 40 ditë pas shpërbërjes, përkatësisht pas shkaktimit të rrethanave që kanë ndikuar në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, sipas rezolutës së serbëve, edhe nëse komuna mbetet pa udhëheqës dhe shpallen zgjedhjet, ata do t’i bojkotojnë ato. Kryetarja e komisionit Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se proceduralisht shkohet në këtë mënyrë, mirëpo deri tani nuk është lajmëruar për këtë veprim të këtyre kryetarëve.
Deri më tani vetëm njëri prej tyre e ka zyrtarizuar dorëheqjen. Në një përgjigje për T7, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë thënë se vetëm kryetari i Zubin Potokut ka dhënë dorëheqje.
Sipas tyre detyrat e kryetarit do t’i ushtrojë nënkryetari.

Ndërkohë, i pyetur nga mediat, kryeministri i Kosovës Haradinaj tha se do të prononcohet nesër.
Kujtojmë se kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiç, ai i Leposaviqit, Zoran Todiç, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviç si dhe kryetari i Zveçanit, Vucina Jankoviç, dhanë sot dorëheqje nga detyra, në shenjë protestë për taksën që Kosova i vendosi mallrave serbe.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb