TIRANE- Drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Artur Zoto ka dhënë sot dorëheqjen. Mësohet se dorëheqja është paraqitur sot me shkrim në zyrën e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.

Dorëheqja e Zotos, siç citohet edhe në letrën e tij, bëhet për arsye personale dhe familjare. Ai theksoi ndër të tjera se punë e ka kryer me përgjegjshmëri dhe gjatë detyrës ka ndërmarrë një sërë reformash.

Letra e plotë:
“I Nderuar Zoti Ministër,
Me Urdhrin e Kryeministrit të Shqipërisë Nr. 149 datë 03.10.2013 jam emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Duke marrë në konsideratë situatën e sistemit të burgjeve shqiptare dhe rëndësinë si institucion i veçantë i sigurisë kombëtare, u angazhova maksimalisht për kryerjen me përgjegjshmëri të lartë të detyrave funksionale në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Gjatë periudhës që kam ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve janë ndërmarrë një sërë reformash dhe iniciativa të rëndësishme, të cilat kanë synuar zbatimin e ligjshmërisë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, si dhe transformimin e sistemit të burgjeve në një mundësi rehabilitimi për personat me liri të kufizuar. Prioritet i është dhënë forcimit të masave antikorrupsion, kur për herë të parë përgjatë viteve 2013-2016 u vunë në zbatim masa specifike për parandalimin e korrupsionit në sistemin e burgjeve, kontrollin dhe monitorimin e praktikave të dhënies së lejeve shpërblyese dhe të veçanta për personat me liri të kufizuar, si dhe forcimin e mekanizmit të kërkesë ankesës në bashkëpunim të ngushtë edhe me aktorë të jashtëm.

Gjithashtu, gjatë viteve që kam ushtruar këtë funksion publik, jam përkushtuar për ndryshimin e filozofisë së menaxhimit të sistemit të burgjeve, nëpërmjet vënies në funksion të metodologjive bashkëkohore për administrimin e sigurisë në institucionet penitenciare, regjimin ditor të personave me liri të kufizuar, vlerësimin e performancës individuale të stafit si dhe të institucioneve, duke vendosur baza të rëndësishme për organizimin dhe funksionimin në nivel qendror dhe lokal.

Duke e konsideruar të pamundur ushtrimin e kësaj detyre në vijim, për shkak të arsyeve personale dhe familjare, ju paraqes dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.”

DENONCIMI
Pak kohë më parë, pikërisht më 8 maj të këtij viti një qytetar dixhital denoncoi në faqen zyrtare të ‘Facebook’ të ish-kryeministrit Sali Berisha se Artur Zoto merrte ryshfete. Sipas qytetarit, i cili ishte punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për një transferim nga një paraburgim në një burg kushtonte 600 €, ndërsa një vend pune varionte nga 3000 € deri në 5000€. Ndërkohë, Ministri Drejtësisë, Ylli Manjani reagoi në atë kohë, ndërsa ftoi denoncuesin në fjalë që të paraqitet për kontakt pranë Ministrisë së Drejtësisë, për tu shqyrtuar kështu në rrugë zyrtare dhe shqetësimi i tij. Ai theksoi se do të merren masa nëse akuzat rezultojnë të provuara.

BERISHA: QYTETARI DENONCON RYSHFETIN QË MERR ARTUR ZOTO
Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi dje në rrjetin social ‘Facebook’, një denoncim që I kishte ardhur nga një qytetar në llogarinë e tij. Qytetari dixhital ka akuzuar drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoton se merr ryshfet.

QYTETARI DIXHITAL DENONCON:
Ryshfetin qe merr drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Artur Zoto. Per me hollësisht lexojeni vet! sb
“Pershendetje I Dashur Kryetar dhe mos vdeksh kurr . Te dhente zoti jete . Jam nje punonjës prane Drejtorise se pergjithshme se burgjeve. Doja te beja nje denononcim sepse je i vetmi njeri ku mund te degjohet dhe zeri jone. Drejtori i pergjithshem i Burgjeve Artur Zoto e ka kthyer kete institucion ne prone private. Nje transferim nga nje p/burgim ne nje burg kushton 600 € Nje vend pune varjon nga 3000€ deri ne 5000€ . e plot e plot pazare te tjera. Nese ju kujtohet ashashi qe ju kap nje punonjesi te policise se burgjeve ajo sasi ishte per burgun e Peqinit ku organizator qe vet Artur Zoto. Por i rreshkiti situata nga duart sepse ishin te pakenaqur ortaket e tij me te cilet ndan leket. Jemi bere vemi ne pune me frike dhe rrime me frike sepse nuk e dime se ku na shkon emri per transferim sepse duhet me i dhone 5000 € Artur Zotos qe te na kthej prap ne ate vend pune. Nuk po flas per gjera te tjera sepse jane te pafundme palacolleqet qe ben ai. Filmon Punonjesit e tij y ben video duke u dhene leke e me pas i ben presion dhe i detyron te bejne gjera qe vene koken ne rrezik. ju Falenderoje A.K”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: