TIRANË– Këshilli i Mandateve pas disa orësh debate ka vendosur të mos pranojë prova të tjera në lidhje me çështjen Doshi. Pas mbledhjes Eduard Halimi u shpreh se provat janë refuzuar nga PS dhe jo nga Këshilli i Mandateve.

‘Është e painmagjinueshme që të bllokohen hetimet për këtë çështje, nuk ka hetim të besueshëm për sa kohë Meta të jetë kryetar i Kuvendit. Edi Rama është dëshmitar i heshtur nga mëngjesi deri në darkë’’- tha Halimi.

Ndërkohë, pas mbledhjes Fatmir Xhafaj u shpreh se është marrë vendimi për heqjen e imunitetit për dy deputetët, ndërsa qëndrimi i Këshillit ishte konsensual. Mësohet se Vangjel Dule nuk ka pasur të drejtë vote në Këshillin e Mandateve.

Vendimi i Këshillit për heqjen e mandateve për dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku pritet të futet sot në seancën plenare, ndërsa pas seancës pritet ekzekutimi i kërkesës së prokurorisë për arrestimin e tyre.

Deputeti Tom Doshi ka hedhur para mediave sot deklaratën “bombë” të premtuar prej tij ose “faktin rrëqethës” që premtoi se do ta bënte publik gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve në Kuvend. Ai tha se dëshmitari kyç i atentateve është kërcënuar me jetën e fëmijëve të tij në Polici për të mohuar porositjen e vrasjeve: “Polici i RENEA-s, me maskë, i tha Durim Bamit në dhomën e izolimit “E dimë ku i ke fëmijët!”, tha Doshi.

Mbledhja e Këshillit të Mandateve u drejtua nga N/Kryetari i Kuvendit Vangjel Dule. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme si dhe deputeti Tom Doshi me dy avokatët e tij, Vladimir Meçi dhe Ferid Muçaj, që paraqitën mbrojtjen.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb