Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, reagon pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të dërguar në Gjykatën e Shkodrës dosjen e grupit kriminal “Bajri”.

Bardhi e cilëson këtë vendim si një tjetër provë të dështimit të SPAK, i cili sipas tij, u krijua për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, por po tregon se është një shtojcë e qeverisë, në mbrojtje të zyrtarëve të korruptuar dhe bandave kriminale.

Mesazhi i Bardhit:
Lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet madhor kombëtar për integrimin europian. Ajo nuk bëhet as me propagandë dhe as me regji të orkestruar nga nevoja e Edi Ramës për të mbuluar dështimin. Lufta ndaj krimit të organizuar kërkon vullnet politik dhe institucione të përgjegjshme. SPAK u krijua me fokus të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por rastet konkrete, po e faktojnë si një shtojcë të Qeverisë në mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe bandave kriminale.
Pas refuzimit për të hetuar dosjen e zgjedhjeve në Dibër, refuzimi për të çuar para drejtësisë organizatën mafioze me lidhje shtetërore të Bajrave në Shkodër, është një tjetër provë e dështimit të SPAK.

Çdo qytetar shkodran, por edhe partnerët ndërkombëtarë, e dinë se Bajrat janë një organizatë mafioze, përgjegjëse për disa krime të rënda të kryera brenda dhe jashtë vendit. Nëse SPAK nuk heton Bajrat dhe organizatat të tilla kriminale, nuk heton vjedhjen e votave, nuk heton korrupsionin në rritje të Qeverisë, atëherë ekzistenca e këtij institucioni bëhet e panevojshme!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb