Ka vijuar sot në Belgjikë seanca e rradhës për një nga proceset “SKY ECC” me 40 të pandehur, shqiptarë e kolumbianë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine në kuadër të dosjes “Black Eagle”. Prokurorja përfundoi aktakuzën e saj të premten para gjykatës penale të Brukselit, duke kërkuar dënime nga 9 deri në 10 vjet burg për shtatë të pandehurit që janë në kërkim.

Përfaqësuesja e prokurorit publik kërkoi një dënim me 9 vjet burg për Diego VS, Rosalino MC dhe Erick BA, tre të pandehur me kombësi kolumbiane, të cilët, sipas saj, luanin rolin e “kimistit” në laboratorët klandestinë të përpunimit të kokainës.

Këta laboratorë u instaluan në hangare dhe kuti garazhesh, ndër të tjera në Belgjikë. Të tre personat u arrestuan dhe u lanë të lirë, por nuk u paraqitën në gjykatë. Më pas prokurori kërkoi dënime me 10 vite burg për Carlos DC, Llazar S., Fjodor B. dhe Aldo T., katër persona të cilët po ashtu mungonin. Hetimi bëri të mundur gjetjen në celularin e koduar të Carlos DC, sipas magjistraturës, të fotove të ëmbëlsirave me kokainë, foto varkash, kontejnerë etj.

Për sa i përket Fjodor B., përveç se është i përfshirë në trafik droge, ai është i përfshirë edhe në aktet e dhunës të kryera në Berlare më 18 shtator 2021, tha ajo. Atë ditë, një shofer kamioni u rrëmbye në mes të natës nga shtëpia e tij në Berlare, në Flandrën Lindore, nga anëtarë të organizatës kriminale të cilët e detyruan t’i çonte atje ku ishte parkuar kamioni i tij, në një magazinë në Morlanwelz. Qëllimi i operacionit ishte rikuperimi i mallit të depozituar në këtë mjet mallrash të rëndë, në të cilin ishte injektuar kokainë. Disa nga shqiptarët e përmendur në këtë proces janë identifikuar më parë nga mediat si Artur S., Indrit. K., Arben I., Alfredo H., Fjodor B., Aldo T., Llazar S. apo kosovari Bashkim O., të konsideruar ndër lojtarët më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës. Në këtë dosje janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri, përfshirë korruptimin e një prej tyre me një orë 400 mijë euro apo takime me ta në Antilet hollandeze për të mundësuar leje ndërtimi për kull në Tiranë, ndërkohë që të tjera detaje pritet të dalin në seancat në vijim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb