TIRANE

Dy ish zyrtarë të lartë të kompanisë CEZ kanë dhënë shpjegime para autoriteteve të drejtësisë ceke, për llogari të hetimit që Prokuroria po zhvillon në Shqipëri, lidhur me dyshimet se procesi i privatizimit të OST në 2008 ishte fiktiv. Dëshmitë e tyre janë administruar në letërporosinë, e cila ka mbërritur pak javë më parë në Ministrinë e Drejtësisë. Materiali është përkthyer dhe disponohet nga prokuroria në dosjen voluminoze, e cila u kthye për rihetim nga gjykata.

Burimet nga institucioni i akuzës janë shumë të rezervuara për të dhënë detaje mbi dëshmitë e dy ish zyrtarëve të CEZ, të cilëve u janë kërkuar shpjegime, lidhur me zyrtarët shqiptare që kanë negociuar për cështjen e privatizimit të kompanisë, si dhe të gjitha detajet në vijim, deri në përfundim të procesit.

Jozyrtarisht thuhet se në pjesën më të madhe të rrëfimit të tyre, si Josef Hejsek ashtu edhe Jan Ivan, pretendojnë se nuk mbajnë mend detaje rreth kësaj cështje, c’ka do të thotë se dëshmitë e tyre mund të mos i shërbejnë shumë zbardhjes së saj. Megjithatë – thanë burimet – deklarimet e tyre do të analizohen në tërësi me materialet e tjera që janë administruar në dosje. Në fakt kësaj të fundit i mungon ende dëshmia e biznesmenit kosovar Nuel Kalaj, i cilësuar nga socialistët si sekser në procesin e privatizimit të OST në 2008, që është konsideruar nga maxhoranxa si një megaaferë. Madje, për këtë shkak socialistët ngriten një komision hetimor parlamentar dhe në fund konkluduan se procesi i privatizimit, ishte fiktiv dhe se buxhetit iu shkaktua një dëm me vlerë 414 milionë eurosh. Mbi bazën e këtij raporti gjykata urdhëroi rihapjen e hetimeve për cështjen e shumëpërfoplur, për të cilën ende nuk ka një vendimmarrje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb