TIRANE-Oficeri i Prokurorisë së Përgjithshme që po heton dosjen “Doshi”, Arjan Muça, ka shkruar mëngjesin e sotëm në spitalin privat ku po ekzaminohet pas problemeve me zemrën deputeti Mark Frroku, në masë sigurie “arrest me burg”.

Mësohet se Frroku është pyetur për detaje të tjera në dobi të hetimit për çështjen në fjalë, por nuk ka dhënë ndonjë dëshmi. Burime bëjnë me dije se Frroku ka deklaruar se “nuk ka asgjë tjetër për të thënë për këtë çështje”, duke shtuar se “i qëndron të gjitha deklaratave që ka dhënë më parë në organin e prokurorisë, gjatë kohës që është thërritur për të dëshmuar”. Sakaq burime nga prokuroria thanë se regjistrimin e videos në lokalin “Viva” në kryeqytet e ka bërë deputeti Frroku. Në bazë të ekspertizës burimet thanë se videoja është gjetur tek memoria e orës së deputetit Frroku.

Ditën e djeshme, rreth mesditës, Frroku është shoqëruar drejt një spitali privat në kryeqytet. Për disa orë ai u është nënshtruar ekzaminimeve të hollësishme dhe të specializuara mjekësore. Nga ekzaminimi ka rezultuar se, përveç problemeve kardiake, deputeti ka edhe një problem me mëlçinë. Duke iu referuar mjekëve, avokati i tij, Sajmir Visha, konfirmoi dje se problemi shëndetësor mund t’i shkaktojë infarkt klientit të tij. “Gjendja e klientit sa vjen dhe rëndohet. Nga stafi mjekësor është konstatuar edhe një problem në mëlçi, çka mund ta çojë klientin në infarkt”, tha avokati. Sipas avokatit, spitali privat ku u ekzaminua deputeti ka marrë përsipër të kryejë ndërhyrjen. Për shkak të gjendjes shëndetësore duket se deputeti nuk do të kthehet në qelinë e tij, në paraburgimin 302, për disa kohë.

(a.n/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: