Nga: Sonila Musaj*

TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar në lidhje me përgjimet ku kreu i bandës së trafikimit të drogës, Jurgen Molla fliste për një pagesë prej 150 mijë eurosh për transferimin e një prokurori. Lajmi është bërë publik nga disa media, ku thuhet se biseda e përgjuar e Jurgen Mollës është e dhjetorit të vitit 2015, kohë kur u bë transferimi i ish-prokurorit të Krimeve të Rënda Anton Martini, në Prokurorinë e Shkodrës.

Në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se çdo aludim apo pretendim mediatik në lidhje me këtë lajm nuk është i vërtetë. Për sa i përket personit për të cilin pretendohet se është paguar një shumë e caktuar parash për “lëvizjen e prokurorit”, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se prokurori Anton Martini nuk ka qenë prokuror i asaj çështjeje për të cilën pretendohet se janë paguar para për largimin e tij nga ky hetim. Organi i akuzës sqaron se prokurori Anton Martini është transferuar në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës me kërkesën e tij, administruar pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Inspektimit, në muajin shtator 2015. Procesi i transferimit të tij përfundoi në dhjetor 2015, pasi u shqyrtua fillimisht nga Këshilli i Prokurorisë.

“Gazeta Shqiptare” ka arritur të sigurojë një kopje të kërkesës së prokurorit Anton Martini, i cili kërkon nga këshilli i prokurorisë që të konkurrojë si drejtues i prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar gjithashtu, se Prokuroria për Krime të Renda ka drejtuar hetimin, e zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me partnerë ndërkombëtarë, gjatë të cilit u zbuluan dhe arrestuan disa persona. Ky hetim, sipas prokurorisë, është zhvilluar fillimisht nga prokurori Anton Martini, i cili më pas u transferua në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës me kërkesë të tij. Më tej, ky hetim u drejtua nga një prokuror tjetër, i cili finalizoi hetimin e nisur në vitin 2015. Hetimi ndaj shtetasit Arben Prendi është drejtuar nga një prokuror tjetër dhe çështja ndaj tij ka përfunduar në gjykatë disa kohë më parë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, operacioni “Ballkan”, finalizuar pak ditë më parë, është një ndër më të suksesshmit në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Ky hetim, sipas organit të akuzës, është zhvilluar në konspiracion të plotë dhe në bashkëpunim efikas, i shoqëruar me arrestimin e thuajse të gjithë personave të përfshirë, ndër ta edhe të dyshuarit si organizatorë, financues dhe transportues të trafikut të lëndës narkotike. Sakaq, në lidhje me të arrestuarit e operacionit “Ballkan”, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të sekuestrojë pronat, asetet e kompanive të ndryshme ndërtuese si dhe llogaritë bankare të tyre. Sipas burimeve, vlera e këtyre aseteve të dyshimta, për të cilat shihet si burim trafiku i drogës, arrin në 10 milionë euro. Burime nga organi i akuzës pohojnë se nga sekuestrimi do të shpëtojnë vetëm ato apartamente që janë blerë nga qytetarë të ndryshëm dhe që disponojnë një kontratë premtimi apo blerjeje.

Përsa i përket biznesmenit Jurgen Molla, ai është bashkëpronar në firmën e ndërtimit “MOLLA” shpk, nën emrin e së cilës është ndërtuar një kompleks pallatesh në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit. Ai ka pasur në përdorim vazhdimisht mjete luksoze. Dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë janë marrë me kontrabandë nafte dhe trafik mjetesh motorike gjatë viteve të embargos së naftës ndaj ish-Federatës Jugosllave në bashkëpunim me shtetas të tjerë. Pas vitit 2002, Jurgen Molla ka marrë ekskluzivitetin e tregtimit të Coca-Colës dhe birrës “Tirana” për rrethin e Lezhës, magazinat e të cilave i kanë në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur “Sakë”.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: