Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg shtetasin Ervis Vladi, i cili ishte pjesë e çështjes së “Toyota Yaris” me 3.4 milionë euro, dhe pikërisht pronari i kësaj shume.

Vendimi është dhënë ditën e sotme, ndërsa gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se Vladi është dënuar për veprën penale “mosdeklarim të ardhurash në kufi”.

Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij ulet në 1 vit burg. Në të njëjtën dosje është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg edhe Agim Ceka për “armëmbajtje pa leje”.

Kujtojmë se më herët Gjykata e Tiranës pushoi çështjen për 4 nga 6 të akuzuar, ndërsa u shpreh se dy të vetmit që do të mbanin përgjegjësi ishin pikërisht Ervis Vladi dhe Agim Ceka.

NGJARJA:

Mbrëmjen e 24 qershorit 2018, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit.

Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompania shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.

Menjëherë në vendngjarje policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, Klevis Lika, djalin e pronarit të kompanisë, dhe shoferin e kamionit, Agim Çeku.

Një ditë më pas, më 25 qershor, policia arrestoi Alban Mollaymerin, biznesmenin që ka porositur makinat nga Belgjika.

Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladin, që dyshohet se ishin personat që do të merrnin paratë. Megjithatë policia nuk ka treguar informacion të plotë rreth rolit konkret të dy vëllezërve Vladi në këtë çështje.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së shtetit bërë më 25 qershor, policia u lajmërua më 20 qershor nga burime vendase për një sasi të madhe eurosh të fshehura në disa autovetura.

Më 21 qershor, mbasdite, burime vendase njoftuan Policinë e Shtetit për një ngarkesë me karoatrec që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre ishte një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.

Në datë 24 qershor, në orën 07:30, makinat mbërritën në portin e Durrësit. Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë në datë 20 Qershor bëri identifikimin dhe ndalimin e mjetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb