Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Ka kaluar më shumë se një muaj nga dita kur Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të shpallë të pafajshëm ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Brenda këtij afati, prokuroria duhej të paraqiste rekurs në Gjykatën e Lartë. Por, ndryshe nga rastet e tjera, kur organi i akuzës nuk pret gjatë për të paraqitur rekurs, për dosjen “Fullani” është shumë diskrete dhe pavarësisht interesimit të “GSH”, nuk konfirmon nëse i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs për çështjen në fjalë.

“GSH” kontaktoi me zyrën e shtypit të Prokurorit të Përgjithshëm, së cilës i drejtoi pyetjen nëse për vendimin e Apelit, për ish-kreun e Bankës Qendrore ishte bërë ose jo rekurs, por nuk mori një përgjigje zyrtare. Gjithashtu, shpjegime nuk dhanë as krerët e Prokurorisë së Apelit, të cilët duhet të vendosin për fatin e dosjes.

Vazhdon ende të mbetet mister nëse prokuroria e ka çuar dosjen e shumëpërfolur në Gjykatën e Lartë, për të kërkuar dënimin e Fullanit për shpërdorim detyre, sikurse ka bërë në dy shkallët e tjera të gjyqësorit.

Apo tashmë, dy vite nga skandali i vjedhjes së Thesarit të Shtetit, gjithçka mund të konsiderohet “kapitull i mbyllur” dhe ish-guvernatorit i vjen radha për të nisur “betejën” e tij me drejtësinë, për dëmshpërblim, pasi u mbajt në burg për dhjetë ditë dhe disa javë të tjera në arrest shtëpie.

Gjithçka mbetet për t’u parë. Në krye të herës pritet reagimi zyrtar i prokurorisë, e mandej lëvizjet që do të bëjë ish-numri një i Bankës Qendrore.

Vendimet për Fullanin
Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani akuzohej për shpërdorim detyre për dy episode: lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit nga Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia, si dhe shkeljet e kryera gjatë procedurave të blerjes së ish-Hotel Dajtit.

Ndryshe nga ish-zyrtarët e tjerë të Bankës së Shqipërisë dhe Thesarit të Shtetit, për të cilët prokuroria e mbylli hetimin në kohë rekord dhe dorëzoi dosjen e tyre në gjykatë, për ish-guvernatorin hetimi zgjati një vit. Më pas, përmes gjykimit të shkurtuar, Gjykata e Tiranës e mbylli në kohë rekord procesin ndaj Fullanit, duke i dhënë atij pafajësinë.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 5 vite burg për ish-kreun e Bankës Qendrore. Gjykata e Apelit shënoi gjithashtu rekord në shqyrtimin e çështjes “Fullani”. Brenda një seance të vetme, çeli gjykimin dhe e përfundoi atë. Sërish duke i dhënë pafajësinë.

E ndërsa pritej që prokuroria të reagonte me shpejtësi për të kërkuar dënimin e Fullanit edhe në Gjykatën e Lartë, duket se ka zgjedhur të heshtë dhe qoftë edhe të mos konfirmojë nëse e ka kryer detyrën ligjore duke paraqitur rekurs, apo për të çështja “Fullani” është e tillë që duhet të hidhet prapa krahëve.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: