NGA IV KALOÇI
Për herë të parë bëhet publik vendimi i Gjykatës Popullore të Tiranës i vitit 1977, për ngjarjen e shumëpërfolur të “Helmimit të lopëve të Baldushkut”, të cilat “hëngrën” katër koka njerëzish dhe dërguan prapa hekurave të qelive të burgut shumë të tjerë të pafajshëm. Si u inskenua dhe u montua akuza nga Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim me Hetuesinë, Prokurorinë dhe Gjykatën, duke krijuar të ashtuquajturin Grup Kriminal Sabotator prej shtatë personash, të cilët u akuzuan edhe si përkrahës të Grupit të Beqir Ballukut dhe që kishin kërcënuar udhëheqjen e lartë të PPSH-së me anë të një letre anonime…

Dosja: Ja grupi kriminal që helmoi lopët
Për herë të parë në “Gazeta Shqiptare” po botojmë të plotë dokumentin origjinal të dosjes gjyqësore, të të ashtuquajturit “Grupi Sabotator i Kooperativës së Baldushkut”. Ka qenë nëntori i viti 1975; pikërisht nën klimën e terrorit dhe spastrimit që kishin ndërmarrë segmente të caktuara të organeve të diktaturës së proletariatit, në bazë të direktivave të marra më parë nga udhëheqja kryesore e regjimit komunist të Enver Hoxhës në plenumet famëkeqe të atyre viteve, ndaj shtresave të caktuara të shoqërisë shqiptare që regjimi i konsideronte kundërshtarë të tij, gjë e cila kishte filluar me të famshmet “Grupet Armiqësore” në Kulturë, Ushtri dhe Ekonomi, e ka zanafillën edhe ky “Grup Armiqësor”, i njohur ndryshe si “Grupi Sabotator i lopëve të Baldushkut”, i cili shumë shpejt do t’u nënshtrohej pa mëshirë inskenimeve dhe trilleve të Sigurimit të Shtetit, ashtu siç ndodhi me të gjitha grupet e tjera, si dhe për ta përmbyllur ironikisht me atë të Ministrisë së Brendshme. Por, ndryshe nga këto grupe të sipërpërmendura ku bënin pjesë elita e shtetit shqiptar, miq dhe kolegë të diktatorit Hoxha, “Grupi i Kooperativës së Baldushkut”, do të kishte një specifikë tjetër.

Ajo përbëhej nga njerëz të thjeshtë dhe punëtorë të një prej ndërmarrjeve bujqësore më të njohura të Rrethit të Tiranës, ku disa prej tyre nuk njiheshin fare me njëri- tjetrin. Por vetë mënyra se si u “zbulua” dhe si u “godit” ky grup i përbërë nga kooperativistë, njerëz të thjeshtë e punëtorë të Baldushkut, e bën sa tragjike aq edhe mosbesuese faktin e të qenit realisht një “Grup i vërtetë armiqësor”. Këtë gjë, pra farsën e ideuar nga Sigurimi i Shtetit, e vërteton më së miri edhe vendimi i gjykatës, i cili është i tejmbushur fund e krye me paragrafë dhe terma propagandistike, ku shtatë të pandehurit, përveç të tjerash akuzohen edhe si përkrahës të Grupit Puçist të Beqir Ballukut. Një tjetër aspekt i ndërhyrjes së Sigurimit të Shtetit në këtë grup, është edhe eliminimi misterioz i Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës (Kryebashkiakut) Ndue Marashi, i cili mbulonte edhe problemet ekonomike dhe bujqësore të rrethit të Tiranës. Vetë natyra brutale e goditjes së këtij “Grupi armiqësor”, u bë për të përligjur në njëfarë mënyre gjendjen e vështirë ekonomike që po kalonte Shqipëria dhe që u justifikua me arrestimin dhe ekzekutimin e shumë zyrtarëve të lartë të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe tregtisë shqiptare. Kjo ngjarje, pra “Historia e helmimit të lopëve të Baldushkut”, ka zënë vend edhe herë të tjera në shtypin e pas viteve ’90, duke pasur prononcime nga disa prej personave të atij grupi që mbijetuan duke dalë të gjallë nga burgjet e ferrit komunist, të cilët kanë deklaruar publikisht se, çdo gjë ka qenë e montuar nga Sigurimi dhe se pohimet e deklarimet e të pandehurve, si në hetuesi, ashtu edhe në gjyq, kanë qenë marrë nën tortura. Po kështu, çuditërisht lidhur me këtë ngjarje ka pasur prononcime publike në shtyp e në media vizive, edhe nga ndonjë prej akuzatorëve të tyre, ku i kanë qëndruar strikt asaj “çka kanë gatuar” 40 vjet më parë. Ndërsa këto tashmë janë të njohura për publikun e gjerë dhe lexuesit, në shkrimin e mëposhtëm po botojmë të plotë vetëm vendimin e gjykatës (të nxjerrë nga Arkivi i MPB-së), që dërgoi në plumb dy prej të akuzuarve dhe pesë të tjerët i dënoi me burgime të gjata, ku dy prej tyre nuk dolën dot të gjallë.

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Gjykata Popullore e Rrethit Tiranë, Nr. 35 Aktit, Nr. 39 Vendimit.

Vendim “Në Emër të Popullit”
Gjykata Popullore e Rrethit të Tiranës, e përbërë prej: Kryetarit të seancës: Aleks Varfi dhe Nd.gjyqtarët Bedri Merja dhe Petrit Baxhaku.
Asistuar prej sekretares Aishe Shima, dhe me pjesëmarrjen e Prokurorit Isamedin Resmja, në seancë gjyqësore pjesërisht me dyer të mbyllura të datave 24, 25, 26, 27, si dhe 31.1.1977, mori në shqyrtim çështjen penale Nr.35, që u përket të pandehurve:
1) Refat Daja, i biri i Sadikut dhe i Gjyzes, lindur në 1949 në fshatin Mustafakoçaj të Tiranës dhe banues po atje, me profesion nd.mjek me arsim të mesëm, pa parti, i padënuar, pa dekorata, i pamartuar, origjina shoqërore fshatar i varfër, arrestuar më datë 17.6.1976.
2) Nuri Allmuça, i biri i Iliazit dhe i Qamiles, lindur në 1938 në Mumajes të Tiranës dhe banues po atje, me punë infermier, me arsim fillor, i martuar me 3 fëmijë të mitur, pa parti, i padënuar, pa dekorata, origjina fshatar i varfër, arrestuar më 16.11.1975.
3) Selman Balla, i biri i Haxhiut dhe i Hankes, lindur në 1944 në Baldushk dhe banues po atje, anëtar i kooperativës bujqësore, me arsim fillor, i martuar me 4 fëmijë, i padënuar, pa parti, pa dekorata, origjina fshatar i varfër, arrestuar më 10.11.1975.
4) Agim Akçani, i biri i Mehmetit dhe i Ikës, lindur në 1953 në Baldushk të Tiranës dhe banues po atje, me punë brigadier në stallën e lopëve, me arsim fillor, beqar, pa parti, i padënuar, pa dekorata, origjina shoqërore fshatar i mesëm, arrestuar më 10.11.1975.
5) Bashkim Allmuça, i biri i Limanit dhe i Dilës, lindur në 1950 në Mumajes dhe banues po atje, anëtar i kooperativës bujqësore, me arsim të mesëm, pa parti, i padënuar, beqar, origjina shoqërore fshatar i pasur, arrestuar më datë 17.6.1976.
6) Emine Shima, e bija e Muharremit dhe e Bedrijes, lindur në 1952, me arsim të mesëm dhe me profesion mami, e pamartuar, e padënuar, pa parti, pa dekorata, origjina shoqërore fshatare e mesme, dhe e arrestuar në datën 9.12.1975.
7) Nadire Shima, e bija e Muharremit dhe e Bedrijes, e lindur në 1955, banuese po në Baldushk, anëtare e kooperativës bujqësore, me arsim 8-vjeçar, pa parti, e padënuar, e pamartuar, pa dekorata, origjina shoqërore fshatare e mesme, e arrestuar në datën 9.12.1975.
Të akuzuar: sipas nenit 70, 73/1 dhe 76 të K.P. Gjykata, mbasi shqyrtoi materialet e hetuesisë dhe provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, së bashku me prokurorin i cili kërkoi deklarimin fajtor të të gjithë të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas neneve 70, 73/1, dhe 76 të K.P. si vijon:
Rifat Daja, në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë.
Nuri Allmuça, në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me vdekje dhe në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë.
Selman Balla, në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 8 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 25 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Agim Akçani, në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 20 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 20 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Bashkim Allmuça, në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 18 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 18 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Nadire Shima, në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 15 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 15 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Emine Shima, në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 13 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 6 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 14 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Të pandehurit Rifat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Agim Akçani, Bashkim Allmuça, Emine Shima, dhe Nadire Shima, pranuan fajin e tyre dhe treguan se janë të penduar, prandaj kërkuan mëshirë. I pandehuri Selman Balla kërkoi pafajësi. Gjykata, pasi shqyrtoi aktet dhe analizoi çështjen në tërësi:
Vëren: Rezulton e provuar se të pandehurit Rifat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Agim Akçani, Bashkim Allmuça, Emine Shima, dhe Nadire Shima, bashkërisht me grup të organizuar kanë vepruar kundër pushtetit popullor, me qëllim armiqësor, duke kryer akte diversioni në drejtim të helmimit të lopëve të kooperative bujqësore Baldushk, konkretisht në këtë mënyrë:

Gjykata: Të pandehurit janë me prejardhje armiqësore
Të gjithë të pandehurit kanë qenë me prejardhje armiqësore, pasi në rrethin e tyre kanë pasur të afërm të goditur nga pushteti popullor për shkak të pjesëmarrjes së tyre me armë në dorë në organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar, ose kanë mbajtur qëndrim të keq gjatë pushtetit popullor duke u dënuar si armiq apo të shpronësuar. Megjithëkëtë, të pandehurit janë trajtuar mirë, aq sa janë dërguar në shkollë nga ana e pushtetit dhe mandej në përgjithësi këta janë vendosur në punë të mira, deri ditën e arrestimit të tyre. Por si rezultat i ashpërsimit të luftës së klasave si brenda ashtu dhe jashtë vendit, elementi armik edhe në kooperativën e Baldushkut ka filluar të aktivizohet, duke iu kundërvënë masave të drejta të Partisë dhe pushtetit si element të papërshtatshëm për shkak të së kaluarës së tyre jo të mirë. Në këtë kategori janë edhe të pandehurit, të cilët janë cenuar me të drejtë nga këto masa. Pra këta, duke pasur predispozicionin armiqësor për shkak të të afërmve të tyre dhe nga masat e drejta të marra sidomos karshi familjes, Daja dhe personalisht Allmuça. Ata janë bashkuar me njëri-tjetrin për të goditur ekonominë socialiste qysh nga maji i vitit 1975, ku Rifati ka filluar të dalë hapët kundër vijës së Partisë, pra qysh në këtë kohë ka filluar të punojë për të krijuar një gjendje të sëmurë në fshat, duke shkruar letra anonime të cilat ua drejtonte drejtuesve te organeve të Partisë dhe pushtetit në zonën e Baldushkut. Duke mos ia arritur qëllimit që dëshironte, shkarkimin nga detyra të këtyre kuadrove, është bashkuar me të pandehurit Nuri dhe Bashkim Allmuça dhe këto elementë me prirje armiqësore.

“Nuriu dhe Rifati, letër anonime udhëheqjes”
Kështu të dy ranë dakord t’u dërgojnë një letër anonime udhëheqësve kryesorë të Partisë plot me shpifje dhe trillime dhe me shprehje armiqësore kryesisht kundër kuadrove të Partisë të zonës së Baldushkut. Por të pandehurit, duke parë që të mos realizohej edhe kjo dëshirë e tyre, menduan që të realizonin aksione më konkrete. Kështu, aty nga muaji gusht i vitit 1975, kanë menduar për të helmuar bagëtitë e kooperativës bujqësore fillimisht në stallën e Mumajesit, porse për këtë gjë nuk kanë gjetur kushte të përshtatshme pasi u nevojiteshin edhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë vendosur të tërheqin në këtë veprimtari fillimisht të pandehurën Emine Shima me detyrë mami. Mbasi edhe kjo ka pranuar planin e tyre, bashkërisht kanë vendosur të zgjerojnë grupin, duke futur në të persona të tjerë të pakënaqur që punojnë në stallën e bagëtive në Baldushk, sepse pa ndihmën e tyre nuk mund të realizohej helmimi i lopëve në këtë stallë. Çdo njeri nga këta ka marrë detyrë për të siguruar helmimin e lopëve, por veçanërisht kjo detyrë është marrë përsipër nga Refati dhe Nuriu. Veç kësaj Emine Shima është ngarkuar për të futur edhe të motrën e saj, të pandehurën Nadire Shima, pasi kjo e fundit është mjelëse në stallën e Baldushkut. Nuri dhe Bashkim Allmuça morën përsipër që të tërhiqnin Selmanin, ndërsa Refati u ngarkua për të tërhequr Agim Akçanin, dhe nga fundi i 1975-ës, duke shfrytëzuar armiqësinë kundër pushtetit, pranuan pa vështirësi marrjen pjesë në grup, duke pasur dijeni mbi qëllimet e tij.

“Mbledhja e fshehtë e grupit për sabotazhin”
Të gjithë të pandehurit, pasi kanë marrë dijeni për njëri-tjetrin se bëjnë pjesë në këtë grup dhe mbi qëllimet e tij, në një rast janë mbledhur bashkërisht në mënyrë të fshehtë për të saktësuar mënyrën e veprimit. Kështu, në fund të tetorit të vitit 1975, të gjithë këta janë mbledhur në një vend të fshehtë në Grykën e Shimës ku atje kanë folur Rifat Daja, Nuri Allmuça e të tjerë. Këtu është bërë e qartë për të gjithë: helmimi i lopëve do të bëhet për të goditur ekonominë e kooperativës, dhe në këtë mënyrë do të arrihej marrja e masave kundër kuadrove të Partisë dhe pushtetit. Njëkohësisht, ky aksion bëhej edhe në kundërvënie të masave që Partia mori kundër tradhtarit Beqir Balluku. Ky aksion do të bëhej duke u gdhirë 8 Nëntori 1975, dita e themelimit të partisë dhe që do të kishte jehonë politike. U vu detyrë që në orët e vona të datës 7 nëntor 1975, çdonjëri nga pjesëtarët e grupit, në mënyrë të fshehtë do të ndodhej në stallën e lopëve të Baldushkut bashkë me helmet. Mbasi u përcaktuan më qartë qëllimi dhe detyra e çdonjërit, të gjithë pjesëmarrësit u larguan.

“Ja si u realizua helmimi i lopëve”
Mbas disa ditëve, një pjesë e tyre janë mbledhur rishtazi në Baldushk duke përsëritur detyrat, dhe në mbrëmjen e datës 6 nëntor 1975, të gjithë këta (me përjashtim të Emine Shimës), e cila nuk vajti pasi nuk ishte e nevojshme pjesëmarrja e saj në ekzekutimin e krimit, shkuan në stallën e lopëve. Kështu, nga ana e Agim Akçanit u çel zyra e tij me çelësin që ky mbante me vete dhe nëpërmjet kësaj të gjithë hynë në dhomën e përgatitjes së ushqimit të lopëve. Meqenëse ushqimi i fermentuar ishte përgatitur si zakonisht nga Selman Balla paradite, të gjithë të pandehurit filluan të tretnin helmet, të cilat i hodhën në ushqimin e fermentuar dhe mandej ky ushqim u trazua bashkë me helmin nga të pandehurit Selman Balla dhe Agim Akçani. Duke e përfunduar aksionin, të gjithë të pandehurit u larguan për në shtëpitë e tyre dhe u betuan solemnisht për ta mbajtur këtë gjë të fshehtë. Në rast zbulimi të çështjes, të gjithë duhej ta mohonin këtë aksion me çdo kusht. Të nesërmen filloi dhënia e ushqimit dhe ujit të pijshëm të helmuar lopëve, të cilat filluan të infektohen. Aty nga data 10.11.1975 filluan të duken dhe shenjat e para të helmimit të lopëve, të cilat në ditët në vijim erdhën duke u shtuar.
(vijon nesër)

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb