NGA Klodiana LALA

TIRANE- Pas dritës jeshile që i ndezi gjykata e Tiranës, Izet Haxhiaj depozitoi zyrtarisht apelikimin kundër dënimit me 25 vite burgim, si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari, shtatorin e 1998. Ish-truproja e Sali Berishës, këmbëngul për pafajësi, pasi pretendon se nuk ka lidhje me ekzekutimin e liderit të demokracisë.

Për të provuar pretendimet e tij, Haxhiaj kërkon ballafaqimin me ish-kryeministrin Berisha, ndërsa rendit emrat e njerëzve të njohur të politikës, drejtësisë, apo medias, që i fton si dëshmitarë në proces.

Në listën e gjatë, bie në sy emri i ish-kryeministri Fatos Nano, ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, ish-prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi, si dhe disa deputetë. Ndërsa, këmbëngul që në cilësinë e dëshmitarit të pyeten edhe Jaho Mulosmani, i dënuar me burgim të përjetshëm, si protagonist kryesor i vrasjes së Hajdarit dhe Zenel Neza, i cili mbeti i plagosur në ngjarje.

Në morinë e provave të listuara, Haxhiaj këmbëngul që Gjykata të administrojë edhe tabulatet telefonike të të gjithë numrave celularë që kanë mbajtur të gjithë personat, që sipas tij paraqesin interes për çështjen. Ndërsa kërkon administrimin e ditareve sekrete të ish-ministrit të Brendshëm Perikli Teta, dhe drejtorit të Policisë, Albert Dervishi.

Avokati i Haxhiajt, Bashkim Nikolla deklaroi për “News 24” se do t’i kërkojnë Gjykatës së Apelit shqyrtimin në themel të dosjes “Hajdari”.

Izet Haxhiaj, i cili pret të përballet me drejtësinë, ndodhet në paraburgimin 302 në Tiranë, që prej ekstradimit në muajin maj nga Turqia, atje ku qëndroi për 12 vite me radhë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb