TIRANË

Gazetarja Klodiana Lala siguron për “BalkanWeb” dosjen e Prokurorisë me përgjime, që fundosi punonjësit e policisë, të cilët lejonin dasmat dhe aktivitetet pas orës policore.

Në përgjimet që sjell më poshtë “BalkanWeb”, tregohet se si polici i Tiranës lejon dasmën, duke iu kërkuar kolegëve të thonë se nuk panë gjë.

Në përgjime del se ka qenë pikërisht polici i arrestuar Durim Muraj, i cili iu ka kërkuar kolegëve të tyre që të shkelin detyrën dhe të mos reagojnë për një dasmë, ku ai vetë ishte pjesëmarrës.

“Punonjësi i policisë, Arjan Balla, me detyrë trup shërbimi në Komisariatin Nr. 1., në datën 14.08.2021, rreth orës 00:40, është njoftuar nga salla operative që së bashku me kolegun Jashar Shehu, të kryente një verifikim në lagjen Shkozë, pasi kishte ardhur një telefonatë në sallën operative se te firma X kishte valle, muzikë të lartë dhe po shqetësoheshin banorët jashtë orarit policor. Arjan Balla lajmëron sallën operative se telefonata ishte e rreme. E njëjta situatë përsëritet në orën 01:15 dhe 01:20, ku përsëri punonjësit e policisë, të cilët shkojnë në vend, raportojnë në sallën operative se telefonata ishte e rreme. Në përgjimet e shtetasit Durim Muraj është fiksuar komunikimi i Arjan Ballës me Durim Murjan, ku rezulton se Durim Murja ishte pjesëtar i dasmës, objekt ankese, në sallën operative, dhe ju kërkon kolegëve të tij që të mos ua ndërpresin dasmën edhe për njëfarë kohe. Në bisedë Arjan Balla shprehet i shqetësuar për ankesat në sallën operative, duke përcaktuar kështu dijeninë e tij të plotë për të vërtetën, duke vërtetuar se raportimi i tij në sallë për telefonata të rreme është e pavërtetë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Nisur nga shkeljet e vazhdueshme në fjalë, prokuroria ka lëshoi urdhër arresti për efektivët e policisë:
Durim Murja -Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
Jashar Shehu -Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
Arjan Balla -Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
Ndërkohë, Matilda Hamolli, pjesë e patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë, ndodhet në arrest shtëpie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb