TIRANË

“BalkanWeb” zbardh pjesë të tjera nga dosja e prokurorisë për grupin kriminal të Çapjave, të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala. Në pjesën që “BalkanWeb” sjell më poshtë i penduari i drejtësisë, Ervis Bardhi ka rrëfyer takimet me krerët e bandës së Elbasanit, Ardian dhe Florenc Çapja.

Në rrëfimin që solli më herët “BalkanWeb”, i penduari theksonte se Ardian Çapja i kishte ofruar 50 mijë euro, që të vriste baba e bir, Nezir dhe Gentian Beqirin, për çështje hakmarrjeje. Ndërsa në rrëfimet e reja, pjesë të dosjes, Ervis Bardhi flet për takimet me Ardianin dhe Florentin, ku mes të tjerash flitet edhe për sasi droge në Holandë.

“… unë për momentin kam filluar të debatoj me Olsin, duke i thënë se ç’punë kam unë që të shkoj tek ata, por në fund kam hipur në makinën, me të cilën erdhi Olsi dhe që ishte një makinë “Pezho”, të cilën ne e merrnim shpesh me qira dhe kemi shkuar përsëri te vendi ku u takuam herën e parë. Me sa kujtoj në këtë takim kam shkuar vetëm unë me Olsin. Pasi kemi shkuar aty, kemi dalë nga makina dhe jemi takuar me Ardianin dhe Florencin … ky i fundit i jep një çantë të vogël, të cilën e mbante në krahë … më pas Olsi më tha që ishin 2500 euro…”, thotë Ervis Bardhi në një pjesë të rrëfimit.

Më tej, ai vijon duke thënë se “… pasi kemi vazhduar rrugën, jemi futur te rrugica, që të çon te shtëpia e Ardian dhe Florenc Çapes. Orën se kujtoj, por di të them që ka qenë pasdite vontë, pasi ka qenë errësirë. Pasi jemi futur në rrugicë, kam vënë re se në rrugë ishin Ardian Çapja dhe Florenc Çapja. Unë nuk i njihja këta persona vetë, Florencin e kisha parë si fytyrë …. rrugës në Kërrabë, ku është rruga e drejtë, kemi ndaluar dhe kemi takuar me Ardianin dhe Florencin, të cilët ishin me një makinë tip fuoristradë të zezë, targat e së cilës nuk i mbaj mend …. në një moment Ardiani i ka thënë Olsit në lidhje me një sasi lënde narkotike, që ndodhej në Holandë dhe po deshët merreni dhe shkoni atje … Florenci po më thotë ‘mos e vrisni mendjen, na keni ne, ne i kemi gjithë gjërat e rregulluara’. Ardiani më tha se duhet të ngjisnim Olsin lart te Gentiani, duke më thënë se ai duhet vrarë…”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb