Gazetarja Klodiana Lala siguron për “BalkanWeb” dosjen hetimore për arrestimet e kryera në Portin e Durrësit, pak ditë më parë, ku u ndalua një kontejner me banane, pas dyshimeve për kokainë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kontejneri me banane, në të cilin mungonin 49 arka me banane, është lëvizur nga kati i parë në katin e tretë, më datë 13 korrik. Kontejneri kishte mbërritur në Portin e Durrësit më 8 korrik, ndërsa u zbulua nga policia më 17 korrik.

“Më datë 13.07.2022, ora 21:57, kontejneri është lëvizur nga kati i 1 në katin e 3. Më datë 13.07.2022 dhe 14.07.2022 shtetasi Skënder Plaku ka planifikuar në shërbim në vend shërbimin nr. 44 dhe nr. 44/1 vetëm një person, ndërkohë që sipas rregullores dhe nevojës së shërbimit, duhet të ishin në shërbim dy persona.
Në këto kushte më datë 17.07.2022, pra 03:35, policia gjyqësore ka proceduar me arrestimin në flagrancë të shtetasve Jurgen Gjeçi, Armand Murataj, Gentian Halili, Azgan Zeka, Skënder Plaku, Adi Qevanaj, Kastriot Ducka, Mentor Dyrmishi, Kladuio Lala, Shpëtim Hajdari, Andrea Xhavara, Adem Brasha, Veis Kuci, Rajd Bleta, Ali Bajrami, Gjergji Doraci, Shefqet Elezi dhe Profit Tola, si të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Ndërsa shtetasit Altin Muhametaj dhe Nazmi Allgjata, si i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjtave të sigurisë së autoriteteve doganore”, e kryer në bashkëpunim”, thuhet në dosjen hetimore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb