Pjesa e tetë

Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni.  Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri, asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës së huaj, i cili në krahaqafë mbante çantën e sportit që s’e hiqte kurrë nga supi dhe në krahun tjetër, një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra  sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo ditë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqsuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri  në vitin 2003.

Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.

Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar ekskluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra të rubrikës dossier.

                                                        Vijon nga numri i kaluar

Plani operativ i Drejtorisë së III-të Sigurimit të Shtetit, për survejimin dhe ndjekjen e Aleksandër Kondos në shtetet ku ai mund të shkonte

                                                                                            MIRATOHET     SEKRET

ZV / DREJTORI DREJTORISË TË III                                         Ekzemplar i vetëm

      N. Z.                                                                                    Tiranë, më 25.6.1985

                                                 PLAN – MASASH

AGJENTUROR – OPERATIV NË DREJTIM TË ALEKSANDËR KONDOS

Aleksandër Kondo ndiqet në përpunim 2/A si i arratisur, që ka refuzuar kërkesën për t’u kthyer në Shqipëri. Aktualisht ndodhet në Jugosllavi, ku me datën 28 maj, së bashku me Xhelal Sukniqin, u zhdukën në qytetin e Titogradit, në kohën që ishin duke kaluar transit nëpër Jugosllavi e ktheheshin nga Kampionati Europian i peshëngritjes që u zhvillua në Katovicë të Polonisë. Deri më tani ka mbajtur qëndrim armiqsor kundër vendit tonë dhe përgatitet të shkojë në vendet e perëndimt. Për këtë dhe për të zbuluar, dokumentuar e parandaluar veprimtarinë armiqësore që mund të zhvilloj Aleksandër Kondo kundër vendit tonë, do të merren këto masa:

  1. Do të njoftohen e udhëzohen rezidenturat e Beogradit, Romës dhe New Yorkut për marrjen e Aleksandër Kondos në përpunim 2/A e ndjekjen në dinamikë të qëndrimit e veprimeve të tij armiqësore. Kryen P.op. F. H. deri me 30.6.1985. Kontrollon Kryetari i Degës K. M.
  2. Rezidentura e Beogradit të shfrytëzojë të gjitha burimet e mundshme ilegale si dhe ato legale, me qëllim për të mësuar e grumbulluar të dhëna për qëndrimin e tij aktual në Jugosllavi, vendet që frekuenton, personat me të cilët shoqërohet e sidomos me të arratisur shqiptarë apo dhe kuadro e agjent të UDB-së etj.
  3. Të shfrytëzohen mirë rastet kur në seli vijnë miq të ambasadës, burime të tjera legale si dhe ndonjë të arratisur që mund të vijë në seli, me qëllim që në biseda me ta të mësojmë e grumbullojmë të dhëna për vend ndodhjen e tij, lëvizjet e ndryshme që mund të bëjë nëpër territorin e Jugosllavisë si dhe largimin e tij për në vende të tjera. Kryen Rez. e Beogradit detyrën vazhdim, kontrollon Kryetari i Degës K. M.
  4. Të punohet në dinamik për shfrytëzimin e të gjithë mundësive e burimeve për të mësuar dhe sqaruar të vërtetën e ngjarjes së datës 28 maj në Titograd, rrethanat e ndodhisë. Veprimet e mëpastajme pas largimit nga grupi sportistëve, çfarë kanë deponuar para organeve të vendit etj. – Kryen Rez. Beogradit detyrë në vazhdim, kontrollon Kryetar Degës K. M.
  5. Të ndjekin rregullisht shtypin e emisionet e televizionit jugosllav, për të mësuar se ç’ka flitet e thuhet për ta, në se mund të japin intervista në televizor, karakterin e intervistës, për qëndrimin e tyre në Jugosllavi, si dhe për largimin në vende të tjera të Perëndimit etj. – Kryen Rez. Beogradit detyrë në vazhdim, kontrollon Kryetari Degës K.M.
  6. Rezidentura e Romës të udhëzohet për të marrë masat e nevojshme paraprake e në perspektivë për të ndjekur e kontrolluar veprimtarinë armiqësore të Aleksandër Kondos, në rast se ai do të stabilizohet në Itali, ose qoftë edhe përkohësisht. – Kryen P. op. F. H. deri me 30.06.1985, Kontrollon Kryetari Degës K. M.
  7. Rezidentura e Romës të aktivizojë B.p. “5202”, “5209”, “5220”, “5247” e ndonjë tjetër që mund të bjerë në kontakt me Aleksandër Kondon, me qëllim për të grumbulluar të dhëna për figurën e tij, lëvizjet që mund të bëjë nëpër Itali, vendet që mund të frekuentojë, sidomos kampet në Latina e Kapua, kontaktet që mund të marrë me të arratisur të tjerë shqiptarë e veçanërisht kontaktet me krerët e emigracionit reaksionar shqiptar se………………………………..me kuadro ose agjent të organeve të vendit si dhe të Vatikanit etj. – Kryen Rez. Romës detyrë në vazhdim, Kontrollon Kryetari Degës K.M.
  8. Rezidentura e New Yorkut do të udhëzohet për punën që duhet të bëjë për të ndjekur e mbajtur në kontroll A. Kondon, në rast se do të vijë në SHBA. Për këtë të drejtohet B.p. “6120”, “6167”, “6103”, “6404”, “6412”, “6119”, “6131”, “6431” e “6440” për të grumbulluar të dhëna për A. Kondon, vendet që frekuenton, lëvizjet që bënë, kontaktet e tij me të arratisur të tjerë e krerë të emigracionit shqiptar………………………. –Kryen Rez. New Jorkut detyrë në vazhdim, Kontrollon Kryetari Degës K.M.
  9. Do të punohet për të evidentuar lidhjet e tij familjare, miqësore e shoqërore me interes operativ, me qëllim që në të ardhmen, mund të përdorim ndonjëri prej tyre për t’i bërë presion A. Kondos, për të hequr dorë nga veprimtarisë armiqsore, e për t’u kthyer në Shqipëri. – Kryen P.O. F.H deri me 30.12.1985, kontrollon Kryetari Degës K.M.
  10. Do të merret në kontroll postar me qëllim për të parë e mësuar lidhjet e reja me interes operativ të tij, karakterin e korespondencës dhe se mos zhvillon veprimtari armiqsore dhe nëpërmjet këtij kanali. – Kryen P.O. F.H deri me 30.6.1985, kontrollon Kryetari Degës K.M.

                   PUNËTORI OPERATIV                          KRYETARI DEGËS

                                  F.H.                                         K.M.

Informacioni i Drejtorisë së III-të të Sigurimit të Shtetit, lidhur me analizën e bërë për arsyet e arratisjes së dy sportistëve shqiptar në Jugosllavi

                                                                                                         SEKRET

                                                                                                      Ekzemplar nr 

                                                                                                     Tiranë më 20.6.1985

                                                      I N F O R M A C I O N

Nga analiza që i bëmë ngjarjes së ndodhur mbi zhdukjen e dy sportistave tanë në Titograd, mendojmë sa vijon:

  1. Rrethanat e çështjes të shpjeguara nga pjestarët e ekipit dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me kohën e shkurtër si dhe zhdukjen e papritur nga grupi, pa krijuar asnjë rrethanë për të tërhequr vëmëndjen, çojnë në konkluzionin se ata duhet të jenë arratisur. Ide të cilën mund ta kenë pasur që më përpara dhe e gjykuan për ta realizuar në atë mënyrë siç vepruan. Këtë e përforcon dhe personaliteti i tyre i dobët, pa hyrë në shpjegime për motivet që i kanë nxitur që të kryejnë këtë akt.
  2. Nuk përjashtohet mundësia që të ndodhemi përpara një kombinacioni të studiuar e me qëllime të caktuara politike të UDB-së. Jugosllavët me qëllim për t’ju kundërvënë gjëndjes së shëndoshë që manifestoi populli ynë, rreth Partisë pas vdekjes së shokut Enver Hoxha, qëndrimeve parimore të qeverisë sonë për marrdhëniet me këtë vënd fqinj, zgjidhjes së pengesave për zgjerimin e marrëveshjes në fusha të ndryshme, si dhe për të hedhur poshtë qëndrimet tona ndaj deklaratave armiqësore dhe nxitëse të kryeministres jugosllave, duke studiuar më parë e shfrytëzuar veset e dobëta të sportistëve tanë, mund të kenë organizuar rrëmbimin e tyre, gjë që përbën një akt të paramenduar për të shkaktuar pasoja të caktuara në marrdhëniet dypalëshe.

Jugosllavët kërkojnë shkak dhe me këtë plan, mund ta kenë realizuar këtë veprim. Fakti që ata heshtin, mund të shpjegohet se ata shpresojnë se mund t’i thyejnë e t’i përpunojnë për t’i ekspozuar tek mjetet e propagandës, me qëllim diskretitimi ndaj vëndit tonë. Dhe nëse ata nuk i’a arrijnë një gjëje të tillë, për të mbuluar gjurmët e këtij akti të shëmtuar, mund të kryejnë edhe likujdimin fizik të tyre, duke i dhënë shpjegime të ndryshme edhe notës sonë me formula justifikimi. Çështjen e kemi në ndjekje.

                       DREJTORI I DREJTORISË SË III

                                             S.F.

Udhëzimet e Sigurimit të Shtetit dërguar rezidentit “Blerimi” në Beograd, me detyrat përkatëse për ndjekjen, kontrollin dhe survejimin e Aleksandër Kondos e Xhelal Sukniqit

                                                                                                        SEKRET

                                                                                                  Ekzemplar i vetëm

                                                                                                  Tiranë më 20.6.1985

Beogradi me telin Nr. 131 datë 17.6.1985 njofton shokun………………….

Dy sportistët i kanë çuar në kampin e Padinska Skela.

Për dijeni V.

Teli është parë nga shoku Ministër dhe shoku………………………..dhe nuk ka shënime. Teli u nxorr në dy kopje për tu vendosur në dosjet formulare 2/A të secilit.

                    OFICERI I DREJTIMIT

                              F.H

                                                   Letër operative Nr 166/1

                                                          “A.Res Personal”

                                                         Ekzemplar i vetëm 

                    Pozitë më 22.6.1985

 LËNDA: MBI TË ARRATISURIT ALEKSANDËR KONDO E XHELAL SUKNIQI 

                     “BLERIMIT”

                       POZITË

Të arratisurit Aleksandër Kondo e Xhelal Sukniqi, u morën në përpunim 2/A. Qëndrimi i tyre në “Ferrë” dhe refuzimi për t’u kthyer në atdhe, si dhe qëndrimi armiqësor që mbajnë kundër vëndit tonë të cilin edhe e kanë shprehur duke thënë se “mezi e pritëm këtë ditë që të vinim këtu” dhe “do të jemi kundërshtar deri në fund të Shqipërisë”, “do të kthehemi një ditë por kur të përmbyset regjimi”, “sepse një ditë ai do përmbyset”, etj.

Këto e bëjnë të domosdoshme ndjekjen me dinamikë e me përparësi të aktivitetit të tyre armiqësor. Prandaj për këtë qëllim, nga ana juaj, të hartohet një plan masash i veçantë për secilin, ku përveç të tjerave, theksi të vihet në shfrytëzimin e mirë të burimeve ilegale dhe legale, për të mësuar mbi qëndrimin aktual që mbajnë, rrethin e tyre shoqëror, vëndin ku ndodhen, lokalet që frekuentojnë, shoqërimet me të arratisur të tjerë, kuadro e agjentë të UDB-së, apo edhe zbulimeve të tjera kundër vëndit tonë.

Ka të dhëna se Kondo dhe Sukniqi, në fund të qershorit apo në fillim të korrikut të 1985, do të emigrojnë në “Peshkaqen” prandaj të punohet sistematikisht për të mësuar në kohë largimin e tyre nga “Ferra”, për në “Peshkaqen”, apo në ndonjë vënd tjetër. Gjithashtu në shfrytëzimin e burimeve legale dhe ilegale, t’i kushtoni rëndësi dhe sqarimit të rrethanave të zhdukjes së tyre në 28.5.1985, në Titograd.

Veprimet e tyre pas largimit nga grupi i sportistëve dhe qëndrimin që kanë mbajtur para organeve të “Ferrës”. Për këtë mund të shfrytëzoni edhe rastet kur në seli, vijnë të arratisur shqiptarë për probleme të ndryshme. E midis të tjerave mësoni edhe për qëndrimet e A. Kondos e Xh. Sukniqit, çfarë thuhet e flitet në rradhët e të arratisurve për ta, kontaktet që mund të marrin me të arratisur të tjerë që vijnë në “Ferrë”, etj.

Po kështu gjatë përpunimit të tyre, të mësohet edhe interesimi që tregojnë për ta, organet e “Ferrës”, emigracioni reaksionar shqiptar e kosovar në Perëndim, si dhe zbulimet e tjera të huaja. Rregullisht ndiqni shtypin dhe emisionet e tjera televizive për të mësuar se çfarë flitet për ta, nëse mund të japin intervistë në televizion, në rast se çfarë dhanë në intervistë, qëndrimin e tyre në “Ferrë” si dhe largimin nga “Ferra” për në “Peshkaqen”.

Përpunimi i tyre paraqet interes, prandaj punoni sistematikisht për grumbullimin e të dhënave periodike për ta. Në drejtim të tyre, shfrytëzoni dhe “1740”.

“LUFTËTARI” 

Telegrami shifër i rezidenturës së Zbulmit Shqiptar në Beograd, drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme në Tiranë, lidhur me gjëndjen shpirtërore dhe qëndrimin që mbajnë Aleksandër Kondo e Xhelal Sukniqi

SEKRET

                                                                              Ekzemplarë i vetëm

                                                                             Tiranë, më 29.7.1985

Rez. Beogradit me tel. Nr.172 datë 27.7.1985 njofton shokun………………..

I arratisuri Aleksandër Kondo, mban qëndrim të poshtër, kurse Xhelal Sukniqi ka shenja pendimi.

Teli është parë nga sh. Ministër dhe sh…………………………dhe nuk ka shënime. Teli u nxuarr në dy kopje për t’i vendosur në dosjen 2/A të Aleksandër Kondos………………………..

OFICERI I DREJTIMIT

              F.H.

                                                               SEKRET

                                                        Ekzemplar i vetem

                                                        Tiranë më 20.7.1985

RELACION MBI SHKAQET E ARRATISJES SË ALEKSANDËR KONDOS

Aleksandër Kondo ka qënë disa herë jashtë me ekipin e peshëngritjes. Para arratisjes ka qënë në Spanjë, dhe nuk ka mbajtur qëndrim të mirë. Kjo del dhe nga relacioni që ka bërë për këtë gjë p.op. D.L. që ka shoqëruar ekipin në Spanjë. Nga ana jonë duke njohur jo vetëm qëndrimin moralo-politik të familjes së tij, por edhe qëndrimin e tij si person, është dhënë mendim negativ për shkuarjen e tij në Kampionatin e Peshëngritjes që u zhvillua në maj të 1985. Ky mendim është bazuar në disa materiale e të dhëna që kemi pasur në ngarkim të tij. Sepse ai ka përdorur stimulues të ndryshëm gjatë garave, kur ka qënë në Spanjë, ka sjellë me vete një revistë pornografike, është shoqëruar me elementë jo të formuar mirë, e ka qënë njeri i çrregullt e pa princip. Pas përfundimit të kampionatit në Poloni, ekipi ynë, mbërriti në Titograd ku do ti priste autobuzi për ti marrë. Në këtë kohë gjithë shokët shpërndahen. Po kështu dhe Aleksandri largohet së bashku me shokun e tij Xhelal Sukniqin, dhe nuk u kthye më tek shokët. Sesi janë larguar, nuk dihet asgjë por vetëm dihet se kanë kërkuar strehim politik. Aktualisht ndodhen në Jugosllavi si Aleksandri ashtu dhe Xhelali. /Memorie.al

SHEFI I SEKSIONIT TË PARË         PUNTORI OPERATIV

                N.S.                                             F.Z