Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri, asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës së huaj, i cili në krahaqafë mbante çantën e sportit që s’e hiqte kurrë nga supi dhe në krahun tjetër, një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo ditë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqsuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.

Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.

Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar ekskluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra të rubrikës dossier.

Vijon nga numri i kaluar

Relacioni i Sigurimit të Shtetit me orientimet për agjentin e tyre në New York me kodin “6403”, se si do sillet dhe bisedat që duhet të bëjë me Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin

Letër Nr.172/6

MIRATOHET

“Vullkani”

A.REZ.PERSONAL

Ekzemplar i vetëm

Pozitë më 28.7.1986

VIJONË SJELLJEJE DHËNË BURIMIT “6403” PËR TA KONSUMUAR ME TË ARRATISURIT ALEKSANDËR KONDO DHE XHELAL SUKNIQI

Është vërtetuar nga burime të ndryshme se kohët e fundit, kanë ardhur nga Jugosllavia dhe janë stabilizuar këtu të arratisurit rishtaz nga vendi ynë, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, të cilët u mbajtën dhe u përpunuan nga UDB-ja për një periudhë prej 8 muajsh atje.

Për të mësuar mbi shkaqet e vërteta të arratisjes së tyre, motivet dhe nxitësit, qëndrimet dhe veprimet e Zbulimit Jugosllav ndaj tyre, nëse janë rekrutuar, detyrat që u janë ngarkuar, cili është qëllimi i telefonatës së A. Kondos në misionin tonë, dhe çfarë fshihet pas “pendesës” për arratisjen dhe “dëshirës” për t’u kthyer në atdhe. Si dhe qëndrimin, trajtimin dhe porositë e organeve vendase këtu, do të drejtohet tek ata burimi “6403”, të cilit do t’i jepet kjo vijë sjelljeje:

Nën pretekstin për të mësuar ndonjë lajm për njerëzit e tij në vendin tonë dhe për gjendjen tek ne, nëpërmjet………………………, të kërkojë të takohet me të arratisurit e sipërpërmendur në vendbanimin e tyre.

Në takimin e parë ku mund të jetë present…………………………….., burimi të mos hapet shumë që në fillim, të tregohet i ngrohtë dhe i preokupuar me gjendjen e tyre, t’i ngushëllojë për gjendjen shpirtërore, ku ndodhen secili prej tyre, kur mbërrin në një vend të ri. Më pas, të ekspozojë para tyre, qëllimin për t’u interesuar për njerëzit e tij në vendin tonë, që kanë qenë të internuar dhe që deri tani nuk ka ndonjë lajm për ta.

Në takimin e parë biseda të jetë vetëm për probleme shoqërore dhe ai të tregojë përkushtimin e tij për t’i ndihmuar që të stabilizohen në punë, ashtu siç ka ndihmuar dhe të tjerët, dhe siç e kanë ndihmuar ata kur ka ardhur këtu. Të interesohet sesi po kalojnë këtu, nëse i ka ndihmuar njeri dhe tu flasi mirë për emigracionin. Dhe siç është zakoni, t’i ftojë pas disa ditësh në lokalin e tij, vetëm ata të dy dhe pasi të kenë pirë ndonjë gotë, të zhvillojë me ta këtë bisedë:

Të interesohet për gjendjen në Shqipëri, për gjendjen e tyre ekonomike atje, duke i vënë në dukje, se ata duhet të kenë jetuar mirë atje, se kanë qenë njerëz të besuar të qeverisë, përderisa i kanë nxjerrë jashtë me sportin dhe në këtë rast të shprehi dhe një farë dyshimi se mos ata këtu, i ka dërguar Sigurimi Shqiptar, siç flitet shpesh në emigracion për ndonjë të arratisur të ri dhe aq më tepër për ta, që kanë qenë të lidhur me qeverinë. Nëse e kuptojnë nëntekstin e tij, t’u thotë që të mos i’a marrin për keq dhe se e kishte me shaka.

T’u kërkojë hollësira për motivet që i nxitën për arratisjen, kush i nxiti, qëndrimi në Jugosllavi, duke shpjeguar njëkohësisht vetë peripecitë e tij të arratisjes dhe të qëndrimit jashtë shtetit, para se të stabilizohej këtu, duke shtuar në këtë rast propozimet që i bënë për t’u rikthyer si diversant në Shqipëri dhe refuzimin e tij.

Gjithashtu të pyetet, për propozimet e mëvonshme për të kryer akte të mprehta kundër Shqipërisë, por që ai nuk i pranoi, jo se ai nuk e urrente regjimin komunist, por nga frika se mos e merrte vesh Sigurimi Shqiptar dhe u bënte keq duke u futur në burg, njerëzit që kishin lënë në Shqipëri. Në kuadrin e këtij rrëfimi të ngrohtë e shoqëror, t’u kërkojë nëse dijnë gjë për njerëzit e tij në vend, nëse ndaj tyre janë marrë masa të tjera dhe t’u thotë, se për çdo gjë që bëjmë ne këtej, ata i marrin vesh dhe Sigurimi Shqiptar që është i pamëshirshëm, merr në qafë njerëzit tanë.

T’u thotë se në shumicën e rasteve, ata që bëjnë ndonjë veprim kundër Shqipërisë, nuk kanë lidhje familjare, ose i kanë të largëta atje. Po kështu, t’i këshillojë që të futen në punë dhe të mos marrin rrugë të keqe dhe në këtë rast t’u shprehë dhe njëherë gatishmërinë dhe ngrohtësinë e tij, për ti ndihmuar që të rregullohen sa më shpejt, t’i porosisë që t’i futen halleve të emigracionit, të krijojnë familje dhe me takt, t’i pyesë për mendimet dhe planet e tyre në të ardhmen.

Nëse u ka premtuar njeri për t’i ndihmuar dhe t’u përmendë komentin që bënë legalistët në radion e tyre, që në fakt ata i dëmton, sidomos njerëzit e tyre në Shqipëri, të interesohet nëse i’u kanë dhënë vërtetë intervistë zogistëve, apo ajo që ata dhanë ishte një sajim i tyre. Gjithashtu të përcaktojë saktë gjendjen e tyre ekonomike, qëndrimin që mbajnë aktualisht ndaj atdheut, nëse ndokush i ka nxitur për të bërë veprime të mprehta dhe t’i këshillojë që për çdo gjë që bëjnë, të mendohen mirë, sepse emigracioni të përpin.

Vërtetë që ka njerëz të mirë që të ndihmojnë, por ka edhe njerëz të këqinj që të përdorin si vegël për interesat e tyre. T’i këshillojë që të mos e pranojnë kurrë, se do marrin jo vetëm veten e tyre në qafë, por edhe familjet. Prandaj t’i futen punës dhe rrugës pa vese.

Me këtë frymë, burimi t’i trajtojë gjithnjë, t’i mbajë afër dhe t’i ketë nën kontroll të vazhdueshëm. Në këtë mënyrë, ai mund të fitojë besimin e tyre, dhe të mësojë gjithçka për planet dhe mendimet që kanë.

PUNTORI OPERATIV

“QERSHIA”

Nxori për A. Kondon dhe Xh. Sukniqin

OFICERI I DREJTIMIT

N. Gj.

Informacioni i Oficerit të Drejtimit lidhur me refuzimin e Aleksandër Kondos, për të dhënë intervistë për Radion e Legalitetit në New York

Marrë nga P.op. B.S.

Nga burimi “6402”

New York 23.3.1986

Tiranë më 9.9.1986

I N F O R M A T E

Sipas R.S. dhe P.M., Aleksandër Kondo, nuk pranoi që të intervistohej nga radio e Legalitetit, nga frika se mos i’u ndodhte gjë njerëzve që ka në Shqipëri. Ai është shprehur se: gojarisht ju them gjithçka që do të dëshironi, por intervistë nuk ju jap. U ka folur dhe për takimin që u zhvillua në Beograd, midis tij e Xh. Sukniqit, me përfaqësues në ambasadën shqiptare në Beograd. Aleksandri u ka thënë atyre që: “edhe sikur me flori të ma shtroni, unë në Shqipëri nuk kthehem”. Sipas………………………., ata ndodhen në një gjendje shumë të keqe dhe depresioni, sepse kujtonin se në SHBA, do ta gjenin gjithçka shtruar.

Nxori Oficeri i Drejtimit

N. Gj.

Relacioni i Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, lidhur me bisedën që ka bërë në New York agjenti i Zbulimit Shqiptar me kodin “6403”, me Kondon dhe Sukniqin

SEKRET

Ekzemplar nr

Tiranë më 9.9.1986

Dhënë nga burimi “6403”

Nxori P.op. B.S.

New York më 19.5.1986

I N F O R M A T Ë

Në përpjekje për të zbatuar detyrën e ngarkuar, u takua me A. Kondon dhe burimi, bëri një vizitë në vend-banimin e tij të ri, në adresën: 611 (ap 6/a 141 street Broadway avenue) në Manhattan. Dhe me numër telefoni të përbashkët 483-63-28 në lagjen e zezakëve, ku e ka stabilizuar…………………………, kohët e fundit. Meqenëse nuk e gjeti atë ditë atje, ai takoi një të arratisur polak, që banonte në një dhomë ngjitur dhe e pyeti për të. Polaku i deklaroi se Sandri dhe Xhelali, jetojnë të dy në një dhomë, por nuk flenë gjithmonë atje. Dhe kjo se ajo banesë ishte shumë e pisët dhe ata shpërndahen për të fjetur tek shokët e tyre.
Në 13.5.1986, burimi ynë u takua me Aleksandër Kondon…………………, dhe të dy bashkë darkuan në një restorant grek, ku biseduan për rreth 3 orë. Aty u fol më tepër për probleme shoqërore, për jetesën dhe vështirësitë e emigracionit. Megjithëse në një diskutim për Shqipërinë, asnjë prej tyre nuk e shau, apo të zinte me gojë jetën politike.
Aleksandri, fliste me përçmim për N.K. dhe për zogistët e tjerë të cilët sipas tij, i kishin premtuar ta ndihmonin por e lanë në mes të rrugës dhe në fund e stabilizuan në një shtëpi në mes të zezakëve. Dhe e gjitha kjo, vetëm se ai nuk pranoi të jepte intervistë kundër Shqipërisë.

Aleksandri tha se kishte filluar punë në një……………………….., në B Avenue 42 Street, ku e kishte rregulluar…………………………, ku dhe ky i fundit punon vetë atje dhe ka mundur të sigurojë të ardhura të mira nga bakshishet që lënë njerëzit. Sipas Sandrit, shqetësimi i tij është që të grumbullojë para dhe së bashku me Xhelalin, të gjejnë një banesë me qera dhe një punë më të mirë, me të ardhura të bollshme.

Nga biseda që u bë me………………………., nuk shprehte ndonjë armiqësi kundër Shqipërisë. Por më tepër, tregonte shqetësim për të siguruar të ardhura të tjera në një shumë prej 15.000 dollarësh, që kishte mundur t’i kursente kur kishte punuar aty dhe ato para, kërkonte që t’i investonte me një leverdi shumë të mirë.

Ai tha se banonte në Bruklin, me të vëllanë dhe shokun e ve…………………, por ndërkohë po përpiqet që të gjejë një ndërtesë në Astoria! ……………………………..ka blerë makinë të vetën. Gjatë kësaj kohe, burimi ka pasur kontakte fizike dhe telefonike me të dhe nuk ka konstatuar asnjë lëvizje të tij. Po kështu, ai nuk është shprehur për ndonjë veprim, kundër Shqipërisë në çdo lloj forme! ……………………………si gjithmonë rrojnë mirë dhe janë djem të lidhur me punën. Edhe ata kanë blerë makinë të tyren.

OFICERI I DREJTIMIT

N. Gj.

Relacioni me informatën e rezidentit të Zbulimit Shqiptar në New York, lidhur me bisedat që ai ka bërë me Kondon dhe Sukniqin dhe lëvizjet e vendndodhejt e tyre

Sekret

Ekzemplar Nr 1

Tiranë më 12.8.1986

I n f o r m a t ë

(Nxjerrë nga shënimi operativ i datës 28.7.1986 i rezidenturës së New York)

Kohët e fundit, janë stabilizuar këtu dy sportistët shqiptarë Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, të cilët tani banojnë veç e veç. I pari në hotel, ndërsa i dyti tek disa miq të tij shkodranë, të arratisur rishtazi nga Shqipëria. Aleksandri, qëndron akoma në hotel dhe paguhet me nga 50 dollarë në javë, nga organet e vendase të emigracionit, sepse porsa erdhi javët e para këtu ai, qëndroi tek……………………!

Sipas rregullave për refugjatët e huaj, organet vendase i paguajnë ato për një periudhë kohe të caktuar, derisa të gjejnë punë e strehim dhe po të kalojë kjo periudhë, atëherë ato nuk kanë asnjë detyrim për të arratisurit. Kështu që Xhelali pasi e mbushi kohën e caktuar, e përzunë nga hoteli dhe i ndërprenë financimin, gjë që e detyroi që të shkonte e të flinte tek shokët shkodranë. Ndërsa Aleksandrit, i mbetet dhe ca kohë që të qëndrojë në hotel.

Sipas…………………………, Aleksandri i kishte thënë se në ditët e para të mbërritjes së tij këtu, rrethet zogiste nëpërmjet……………………….. që e kishte pritur dhe ishte interesuar për të, ishin përpjekur t’i mbushnin mendjen për intervistë dhe t’a nxirrnin te “Zëri i Amerikës” dhe te “Zëri i Atdheut”, por Aleksandri kishte refuzuar kategorikisht. Në fakt, ai pati biseduar me ta gjatë darkës, që i shtruan siç i shtrojnë çdo të arratisuri, por kursesi nuk kishte dhënë intervistë. Ishte mërzitur e nxehur shumë kur zogistët, i kishin përmendur emrin në radion e tyre.

Për këtë para 10 ditësh, i ishte mbushur mëndja që të kthehej në Shqipëri, duke marrë parasysh çdo pasojë, por më pas kishte ndërruar mëndje, nga frika e një dënimi të rëndë. Bashkë me Xhelalin, po përpiqen që të gjejnë ndonjë apartament të lirë me qera dhe të stabilizohen me punë për të fituar jetesën. Është shumë i dëshpëruar dhe i mërzitur nga gjendja që gjeti këtu pasi priste diçka tjetër.

Ndonjëherë ka folur keq për regjimin në Shqipëri, por e kemi këshilluar që të shikojë hallet e tij dhe të mendojë për njerëzit që ka lënë atje. I kemi thënë se ai, nuk ka asnjë arsye, që të shajë regjimin komunist në Shqipëri, sepse jetonte si kont dhe kishte dalë jashtë shtetit gjithë kohën, kishte parë botë me sy dhe duhet ta kuptonte se jetesa jashtë shtetit është e vështirë.

Relacionet e Punëtorit Operativ me dëshmitë e marra nga rezidenti i Zbulimit Shqiptar në SHBA-ve, me kodin “6110”, lidhur me bisedat dhe lëvizjet e Kondos e Sukniqit atje

Sekret

Ekzemplar nr 1

Tiranë më 17.9.1986

Marrë P.op. M.Gj.

Dhënë burimi “6110”

Datë 12.3.1986

I n f o r m a t ë

Sipas A.D. dhe M.G. të arratisurit e rinj Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, janë stabilizuar me banim në New Jersey në shtëpinë e………………………….nga Tirana, ndërsa punë nuk kanë gjetur akoma. Ndihmohen nga shokët e tyre, të cilët interesohen që ata të gjejnë punë sa më parë. A. Kondo, flet keq për gjendjen në Shqipëri, ku sipas tij nuk ka për të ngrënë, nuk ka femra, njerëzit nuk janë të lirë, etj.

Ndërsa Xhelali, nuk para flet. Aleksandri ka thënë se për pak e pësoi keq në Jugosllavi, ku mbasi goditi një polic, e mbajtën pak në burg por më pas e lëshuan. Aleksandri është njeri kokëkrisur, mëndjemadh, i papjekur ……………………………….., e këshillojnë që të mos merret me këto punë dhe të shikojë hallet e veta.

Sipas tyre, Aleksandri, tani për tani, mbetet në pozita armiqësore dhe urrejtjeje për regjimin në Shqipëri dhe pothuajse nuk interesohet për njerëzit që ka lënë atje. Nuk është shprehur për ndonjë veprim konkret kundër Shqipërisë dhe njerëzve të saj këtu dhe nuk ka bërë lëvizje jashtë vendbanimit të tij.

Puntori Operativ

D.M.

Sekret

Ekzemplar Nr 1

Tiranë më 18.9.1986

Marrë nga P.op. M.Gj.

Dhënë burimi “6120”

Datë 20.5.1986

I n f o r m a t ë

Të arratisurit Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, vazhdojnë të jenë në New York, por jetojnë të ndarë nga njëri tjetri. Xhelali banon në Brooklyn dhe punon si pastrues, në një ndërtesë ndërsa Aleksandri, është akoma pa punë. Atë e ka rregulluar N.K. në një apartament në Harlem. Më tepër shoqërohet me I.P e N.P. Burimi tha se Aleksandri, është i pakënaqur nga N.K. që e ka futur në një apartament dhe që nuk po e rregullon për punë. Më shpesh shkon në lokalin e R.D. Vuri në dukje se Aleksandri, vazhdon që të flasi shumë keq për gjendjen në Shqipëri, ndërsa Xhelali tregohet shumë i rezervuar.

Puntori Operativ

D.M.

Sekret

Ekzemplar Nr 2

Tiranë më 18.9.1986

Marrë P.op. M.Gj.

Dhënë burimi “6110”

Datë 12.5.1986

I n f o r m a t ë

Sipas të arratisurit A.D., Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, ndodhen në një gjendje mjaft të keqe ekonomike e shpirtërore. Ata gjithë kohës shajnë………………………., që ndryshe nga të arratisurit e tjerë për të cilët është interesuar, këta i ka strehuar në një apartament në lagjen e ndyrë “Harlem” të zezakëve.

Nuk i ka gjetur asnjë punë dhe madje nuk është interesuar fare për këtë problem. Sipas tyre, ……………………………, ua ka varur sepse ata nuk kanë pranuar kategorikisht që të japin intervistë në radion zogiste apo në “Zërin e Amerikës” kundër Shqipërisë. Të dy sportistët tani ndodhen mjaft të dëshpëruar dhe të penduar për atë që bënë./Memorie.al

Puntori Operativ

D. M.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb