NGA DASHNOR KALOCI

Ky dokument që po botojmë në këtë pjesë të librit është më i gjatë nga të gjitha dokumentet e tjera dhe padyshim një ndër më të interesantët e këtij libri, gjë për të cilën do flasim më poshtë më gjerësisht. Dokumenti në fjalë, i cili mban datën 10.8. 1972 dhe i sigluar “Sekret”, është një informacion i drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Raqi Iftica, i titulluar: “MBI DISA QENDRIME NE RADHET E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTEVE TE TIRANES” dhe i dërgohet Komitetit Qendror të PPSH-së, pa adresë të ndonjë personi të veçantë.

Por, nisur nga fakti se ai informacion- raport bën fjalë mbi shkrimtarët dhe artistë, ai ka shkuar në zyrën e Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qendror për propagandën që mbulonte dhe artin e kulturën. Por, nisur nga rëndësia e madhe që ka pasur ky informacion hartuar prej kreut të Sigurimit të Shtetit për Tiranën, pas Ramiz Alisë, ai dokument ka shkuar dhe te kabineti i Enver Hoxhës. Dhe kjo gjë duket edhe nga shënimi që ka lënë aty shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Ilo Kodra, i cili ka shkruar “U pa nga shoku Enver”.

Rëndësinë apo interesin këtij dokumenti, ia shton moria e personazheve që përmenden dhe trajtohen në këtë dokument, emra të shquara të artit dhe kulturës shqiptare, (mbi 60 persona) si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Aleksandër Banushi, Gjergj Zheji, Petro Zheji, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Pandeli Koçi, Nonda Bulka, Hamit Beqja, Jakov dhe Dhurata Xoxe, Adriatik Kallulli, Nasho Jorgaqi, Anastas Kondo, Viktor Qurku, Ali Abdihoxha, Filip Ndocaj, Luan Qafzezi, Vath Koreshi, Ibrahim Uruçi, Dalan Shapllo, Kiço Blushi, Siri Sulejmani, Rudi Spahiu, Razi Brahimi, Koço Bihiku, Vasil Melo, Pipi Mitrojorgji, Bujar Kapexhiu, Skënder Kamberi, Janaq Paço, Kel Kodheli, Vilson Kilica, Sadik Kaceli, Qamil Prizreni, Llambi Blido, Nexhmedin Zajmi, Thoma Dhamo, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, Pjetër Gjoka, Ndrekë Luca, Zhani Ciko, Nikolla Zoraqi, Milto Vakos, Agim Krajka, Tish Daia, Besim Zekthi, Lefta Mulliri, Mediha Lubonja, Agim Gjakova, Adem Istrefi, Gani Demiri, Muzafer Kasa etj.

Dhe për të gjithë jepen me detaje të dhëna rreth tyre se çfarë flasin ata për njëritjetrin, për punën, për kolegët e koleget, për shefat dhe drejtuesit e tyre, për veprat e punët që kanë realizuar, pakënaqësitë, vlerësimet, çmimet, shpërblimet, dënimet, intrigat, thashethemet, hatërmbetjet, dufet, mllefet si dhe komentet armiqësore që ata flasin me njëri-tjetrin, apo nën zë me njerëz të besuar, etj., etj. (vijon nga numri i djeshëm) REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1 DREJTORIA E PUNEVE TE BRENDSHME Tiranë, më 10. 8. 1972 Nr. 3871 INFORMACION MBI DISA QENDRIME NE RRADHET E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTEVE TE TIRANES MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENESHME (DREJTORISE SE PARE) TIRANE Viktor Qurku është ndikuar nga literatura revizioniste sovjetike.

Ai është shprehur se: “Unë lexoj art të vërtetë, dëgjoj në radio konkursin që bëjnë poetët e sotëm sovjetikë, këto vjersha janë art i vërtetë që të luan mendja e kokës…! Unë do shkruaj vjersha të errëta që nuk kuptohen, nuk më pëlqen asgjë nga poezia e sotme shqiptare…. Simpatizoj poetët e kohës së Jevtushenkos…”. Në burim tjetër informon se, duke folur për Jevtushenkon, në një kohë kur gazeta “Drita” e kritikonte atë, Viktori ka thënë: “Hiqni emrin e Jevtushenkos dhe vëni një emër të një poeti tonë dhe poema është e mrekullueshme”. Në një rast ai i ka thënë Dritëro Agollit: “Ik se ty të kanë bërë të madh se i këndon Partisë, se të kanë në sy të mirë të mëdhenjtë”. Për pikëpamje të tilla Viktori është këshilluar nga ana jonë vitin e kaluar. Sulejman Mato ka gjithmonë mendime të shtrembra, sidomos në disa poezi, të cilat “Drita” nuk ia ka botuar për shkak të përmbajtjes së tyre ideologjikisht të gabuara. Bile kohët e fundit ka përgatitur për botim një poezi ku, nën pretekstin e luftës kundër burokratizmit, godet ata që kanë makina.

Lidhur me këtë poezi, një burim tjetër na njofton se: “… para pak kohësh, duke biseduar me Pandeli Koçin, i cili i ka redaktuar vëllimin me poezi të S. Matos, më tha se Sulejmani është i papjekur dhe ai, duke u nisur nga tendenca se poeti duhet të jetë trim dhe të godasë çdo të metë, ka bërë një poezi për tipin e burokratit, e cila është me përmbajtje thellësisht reaksionare, mbasi godet njerëzit që kanë veturë. Sulejmani thotë se burokrati duhet kërkuar dhe goditur në veturat dhe jo ku e kërkojnë shkrimtarët”. Fatos Arapi, përveç përpjekjeve për denigrimin e Ismail Kadaresë etj., ka shfaqur dhe mendime ideologjikisht të shtrembra.

Nga një burim del se Fatosi, duke qenë prezent S. Mato, V. Mato etj., ka justifikuar dhe insistuar që të botohet poezia e Sulejmanit, për të cilën u fol me lart. Burimi informon: “Fatosi, i përkrahur nga Sulejmani dhe Vullneti po sulmon kryeredaktorin e ‘Dritës’, duke i thënë se ajo gazetë nuk po boton shkrime të guximshme në përgjithësi dhe në poezi në veçanti. Fatosi thoshte se aty botohen vazhdimisht poezi problematike, që nuk thonë asgjë. Duke i thënë kryeredaktorit se duhet të revolucionarizohesh dhe duhet të botosh poezi me përmbajtje të guximshme, Fatosi solli si shembull mosbotimin nga gazeta ‘Drita’ të një poeme të S. Matos. Siç u mësua më vonë, (si rezultat i komentimit në ambientet e tyre), kjo poemë ngrinte si problem shqetësues se fëmijët e udhëheqësve bredhin e bëjnë qejf me vetura luksoze, në një kohë kur në jetën tonë ka plot probleme. Pse të mos botohet kjo poemë, ngul këmbë Fatosi, që ngre problem kaq jetike dhe reale…”. Përveç kësaj, Fatosi ka shfaqur pakënaqësi edhe për pagesën për veprat letrare.

Ai ka thënë: “Në vendin tonë pagesat për veprat letrare janë jashtëzakonisht të ulëta, më të ulëtat në botë. Me një pagesë të tillë simbolike është e pamundur të krijohen kushte të mira për shkrimtarët dhe të krijohen vepra të mira. Për një vepër, shkrimtari jashtë siguron jetën për 10 vjet…. Pse do të borgjezohet ky (burimi), po t’i jepen 10.000 lekë për romanin që botoi? Aspak, përkundrazi…”. Disa nga shkrimtarët dhe poetët, piktorët etj., si Faik Ballanca, Pandeli Koçi, Sulejman Mato, etj. studiojnë literaturë kosovare dekadente, të cilat i qarkullojnë tek njëri-tjetri.

Një burim thekson se: “Bujar Kapexhiu, Llambi Blido etj., janë të dhënë mbas izmave në pikturë. Ata marrin libra dhe revista të huaja me përmbajtje dekadente. Dhe kjo literaturë ka ndikuar te veprat e tyre, mbasi disa herë p.sh., Llambit, nuk i janë pranuar punimet për shkak të përmbajtjes dhe ngjyrave. Bujari është i dhënë shumë mbas kubizmit në ilustrimet, në karikaturat dhe skenat e estradës, disa nga të cilat i ripunon, por nuk bindet, duke thënë se jeni kundër të resë, se nuk do të ecni përpara deri sa keni këto mentalitete. Në sfondet e estradës ka tendenca të huaja p.sh, në numrin e fundit të estradës ai kishte një skenë me trekëndësha të pakuptueshëm…”.

Një burim tjetër njofton se Bujari ka shfaqur mendime të tilla të karakterit armiqësor: “S’të kuptojnë këtu, të jesh andej bën namin… E di unë se si e duan këta shfaqjen, ta mbushësh me flamurë dhe artikuj gazetash dhe je në rregull. Shfaqja më e bukur ishte ‘Njolla të murrme’, që u kritikua, ajo ishte tamam si shfaqje e huaj… Kemi mbetur akoma në kohën e Nuhit, bota po bën mrekullira… Jashtë nuk janë më të zgjuar artistët, po atje ka liri veprimi të formave artistike, ndërsa këtu te neve bëhen shfaqje me porosi, të më lënë mua dhe ta shikosh, e bëj shfaqjen të thyen dyert, po kush të len…”. Pikëpamje të tilla ka edhe piktori Llambi Blido.

Ai është shprehur: “…Kush të le këtu të punosh siç do ti, kush të lë të bësh diçka të re, na ndrydhin ndjenjat tona. Jemi shumë prapa botës, spektatorët nuk kuptojnë pikturën tonë se janë pa kulturë, vetëm i huaji di të na çmojë…”. Për krijimtarinë artistike që lidhet me repertorin e teatrove, gjithashtu qarkullojnë fjalë se ato janë monopolizuar me veprat e vetëm disa autorëve, siç janë Ibrahim Uruçi, Fadil Paçrami, Nikolla Zoraqi etj. Vath Koreshi i ka thënë një burimi tonë se: “Është duke përfunduar një dramë të re, të cilën ua ka dhënë disave dhe ata janë entuziastë, por belaja është se ku ta vë në skenë?! Teatrin Popullor e kanë okupuar Fadilët dhe Ibrahimët. Ma kanë punuar edhe njëherë kështu me një dramë tjetër…! E çova në Teatrin Popullor, e pëlqyen dhe e aprovuan, mirëpo e mori vesh Ibrahimi që nuk e aprovuan dramën e tij ‘Shembja’ dhe nuk la derë pa trokitur…, vajti deri në K.Q. dhe si përfundim, teatri mori urdhër të vinte në skenë dramën e Ibrahimit…”.

Një burim tjetër informon se: “Teatri Popullor vë në skenë vepra që janë të ulëta artistikisht, por vihen se janë të Fadil Paçramit dhe Ibrahim Uruçit…. Meqenëse janë të këtyre, zgjidhen dhe angazhohen aktorët më të mirë, me qëllim që drama mund të pëlqehet. Aktorët i zgjedh vetë Fadili dhe po deshe guxo të bësh vërejtje se të mbyt. Atëherë ndodh, që meqenëse të metat nuk diskutohen hapur, më vonë diskutohet midis nesh për ato të meta (në intimitet). Në këtë mënyrë na kanë folur Pjetër Gjoka dhe Petro Marko, por ka edhe të tjerë…”. Po ky burim vazhdon…: “Para 5-6 muajsh, aktori Pjetër Gjoka më ka thënë se ne teatër janë ndarë aktorët në tarafe që luftojnë njëritjetrin. Por atje ka miq shoku Fadil dhe që të bësh të tillë atë, duhet t’ia lavdërosh dramat. Fadili u ka thënë të tjerëve për mua se është jezuit”. Burimi thekson se edhe Sandër Banushi, Llazar Siliqi dhe Ndrek Luca më kanë thënë se Fadil Paçrami lufton katolikët shkodranë dhe mbron vetëm myslimanët…”.

Nga një burim tjetër na rezulton se Bujar Kapexhiu, duke folur rreth dramës së Fadil Paçramit, është shprehur se: “Unë jam i bindur se ajo është një shfaqje e dobët dhe mori çmimin vetëm se e ka shkruar Fadil Paçrami…”. Kompozitori Shpëtim Kushta thotë: “Teatri i Operas është bërë pronë e Nikolla Zoraqit. Çdo gjë që kompozon ai vihet në dispozicion të teatrit. Veprat e kompozitorëve të tjerë refuzohen, ose edhe kur pranohen, për to tregohet shumë pak kujdes në përgatitje, ndërsa për ato të Zoraqit bëhet punë e madhe…”.

burim tjetër njofton: “Të gjitha punët e repertorit të ansamblit janë përqendruar në duart e Milto Vakos, Agim Krajkës e diçka të Tish Daisë. Prej shumë vitesh kompozitorët e tjerë nuk kanë dëshirë të punojnë për Ansamblin. Ata thonë se neve nuk na afrojnë më dhe kur dërgojmë ndonjë pjesë, vepra jonë është ndryshuar në ekzekutim dhe udhëheqja artistike e bën këtë sepse ka guston e vet. Flitet nga shumë artistë se Koço Vasili vetë firmos dhe vetë vulos. Prapa tij është Zhani Ciko që e përkrah, gjithashtu ka vite që në teatër preferohet vetëm Nikolla Zoraqi, kurse kompozitorët e tjerë nuk afrohen dhe nuk u ekzekutohen veprat e tyre, bile në sirtarët e drejtorisë së Operas, ka vepra të kompozitorëve që nga ana financiare janë paguar, por nuk ekzekutohen, ose të tjerëve nuk u kthehet përgjigje fare. Kështu që nga disa kompozitorë janë krijuar bindje se luftohen nga drejtuesit e Operas, prandaj dhe nuk shkruajnë…”. Një burim tjetër përpara disa kohësh, theksonte: “Në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore është krijuar pasiguri në radhët e punonjësve, gjë të cilën ia dedikojnë udhëheqësit artistik Milto Vako…”.

Lefta Mulliri është revoltuar dhe ka shprehur mendimin për t’u larguar nga Ansambli mbasi nuk punohet me Milto Vakon, sepse është intrigant dhe të punon njëmijë e një të këqija…”. Në dhjetor (1971), një burimi i kanë vajtur Besim Zekthi, Lefta Mulliri dhe Mediha Lubonja dhe i kanë dalë me propozimin që të largohen nga Ansambli, mbasi po bëhet i paqëndrueshëm qëndrimi këtu…”. -Këto janë disa çështje që janë diskutuar dhe diskutohen ndër shkrimtarë dhe artistë, sigurisht jo në mbledhje të hapëta, por në rrethe të ngushta. Mendojmë se nga mënyra se si bisedohen dhe ngrihen këto probleme në ambiente të caktuara, tregon se në këtë drejtim duhet bërë një punë e madhe në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve nga ana e Partisë dhe organizmave të saj. Ndërsa nga ana jonë është bërë vlerësimi për ato që kanë karakter haptazi politik dhe do të forcojmë punën tonë për zbulimin qysh në fillim të veprimtarisë armiqësore, që mund të dëmtojë vijën e Partisë në këtë terren të rëndësishëm ideologjik.

DREJTORI I PUNEVE TE BRENDSHME (RAQI IFTICA) d.v. Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 354 Viti 1972

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: