TIRANE– Pronarët që aplikuar për kompensimin e pronës në vitet 1997 dhe 1998, për të cilët ka një vendim për njohjen dhe kompensimin e pronës duhet të plotësojnë formularin-tip për të marrë paratë. Agjencia e Trajtimit të Pronave publikon formularin dhe dokumentet që duhet të plotësojnë rreth 3260 përfitues në të gjithë vendin për të marrë kompensimin në para ose kompensim fizik.

Për dosjet e vitit 1887 janë 1460 pronarë dhe dosjet e vitit 1998 janë 1800 pronarë. “Gazeta Shqiptare” publikon formularin, dokumentet, si dhe listën me pronarët që duhet të plotësojnë dokumentet për të përfituar kompensimin.

Kompensimi financiar dhe fizik
Sipas formularëve-tip mësohet se kërkuesi, duket të cilësojë faktin se kërkon kompensim financiar. Për plotësimin e dosjes duhet të paraqitet kërkesa për kompensim financiar/fizik, konfirmim nga ZVRPP-ja për gjendjen juridike të pronës vërtetim nga gjykata, nëse vendimi përfundimtar i apo vlerësimit të tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve, prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët, vërtetim numër llogarie, vërtetim nëse subjekti ka përfituar ose jo tokë bujqësore, dokument identifikimi dhe mandat pagese. Të njëjtat dokumente duhet të paraqiten edhe në rastin kur pronari kërkon kompensim fizik.

Llogaritja
Kompensimi për ish-pronarët për tokën truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi do të kryhet me para. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.

Neni 8 pika a e ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.

Pagesat e përshpejtuara
Pronarët mund të përfitojnë edhe pagesa të përshpejtuara. Janë vendosur tri afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tri vitesh dhe brenda pesë vjetësh. Për secilin variant në një VKM të posaçme është përcaktuar edhe përqindja e pagesës.

Për pagesën brenda një viti pronari merr 20% të vlerës së faturës, për pagesën brenda tri viteve merr 30% dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht.

Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar, të gjitha subjektet kërkuese, të cilat shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar. Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

Burimi: http://www.gsh.al/2018/07/29/dosjet-e-viteve-1997-1998-formulari-per-te-marre-parate/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb