Nga viti 1946 deri në vitin 1950, në qytetin e Vlorës u krijuan dhjetra grupe gjimnazistësh rebelë, të pabindur, ëndërrimtarë, gati të përballeshin me çdo sistem që kufizon lirinë. Njëri prej tyre, Lavdosh Beqo rrëfen historinë e arrestimit, por edhe detaje e të pathëna për grupet e tjera të krijuara në gjimnaze.

Ishin rebelë, të pabindur, ëndërrimtarë. Ishin po aq të vrullshëm sa janë të gjithë gjimnazistët. Guximtarë deri në atë pikë sa të përballeshin me çdo sistem që kufizon lirinë. Ishin gjimnazistët dhe adoleshentët shqiptarë, të cilët nuk e pranuan që në orët e para të keqen e madhe që po zaptonte vendin, fill pas çlirimit në vitin 1944.

Shumë prej tyre vinin prej familjeve me përkatësi të ndryshme politike, por që të gjithë shpresonin për të ndërtuar një të ardhme ndryshe nga propoganda e regjimit të sapovendosur. Edhe pse vetëm 15 apo 16 vjeç, shumë gjimnazistë shqiptarë gjetën mënyrën të kontribuonin individualisht ose të organizoheshin në grupe të vogla, për të kundërshtuar izolimin e Shqipërisë nga pjesa tjetër e botës.

Janë të njohur grupet e të rinjve gjimnazistë që u formuan në Vlorë, Shkodër, Tiranë e qytete të tjera për kundërshtimin e hapur ndaj regjimit dhe përhapjen e informacioneve ndërgjegjësuese në qytetet e tyre rreth pasojave që do të sillte regjimi i egër, për qëndresën e tyre guximtare në hetuesi e në sallën e gjyqit.

Nga viti 1946 deri në vitin 1950, në qytetin e Vlorës u krijuan dhjetra grupe gjimnazistësh: fillimisht u krijua grupi i Engjëll Kokoshit, ku bënte pjesë Burim Kokoshi, Klito Lamaj e të tjerë, më pas grupi që drejtohej nga Zija Hoxha, ku bënin pjesë edhe Agim Bino, Veli Premti, Myrteza Baboçi. Ky i fundit ishte pjesëtar edhe në grupin që u krijua më vonë nga Reshat Kripa, e Jorgo Besho. Po ashtu tre 17 vjeçarët Lavdosh Beqo, Aladin Alemi dhe Besnik Kripa kishin krijuar një grup tjetër.

“Gjatë kohës që na arrestuan dhe dënuan na quajtën Grupi i gjimazit Ali Demi. Grupin e krijuam një vit përpara se të arrestoheshim, aty nga viti 1949, në rrjedhën e atyre ngjarjeve që ndodhën në Shqipëri atë vit, siç ishin provokacionet greke, apo hedhjet e bandave të diversantëve. Kështu ne krijuam një aktivitet tonin, duke shpërndarë trakte. Dhe nga data 4 ose 5 Maj, u zbuluam, u arrestuam, e më pas u dënuam“, tregon Lavdosh Beqo.

Në vitin 1957, në Liceun e Shkodrës tre të rinjtë Ndrek Bazhdari, Nikolin Pavaci dhe Karlo Çefa krijuan gjithashtu një grup antikomunist. “Ne krijuam një grup me qëllimi propogandimin e ideve të Revolucionit Hungarez dhe përhapjen e tyre sa më gjërë. Baza e aktivitetit tonë, ishin traktet; ne arritëm të përpilonim vetë trakte”, tregon Bdrek Bazhdari.

Ndërsa një vit më vonë 17 vjeçarët shkodranë Mark Alija, Javer Hoti, Rustem Berisha etj u kapën në tentativë për t’u arratisur.

“Ishim 17 vjeç. U nisëm. Na kapën në Koplik të Shkodrës. Na arrestuan. Ishim të denoncuar që para se të niseshim, kuptohet. Na çuan në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës”, tregon Mark Alija.

Të gjitha këto grupe, u krijuan në bankat e shkollave vetëm nga dëshira për të qenë të lirë, vetëm nga kundërshtia që kishin për sistemin.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://www.gsh.al/2018/02/02/nga-bankat-e-shkolles-pas-hekurave-te-burgut-komunist/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb