BRUKSEL – Një draft-rezolutë për Shqipërinë do t’i paraqitet Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian nga raportuesi Knut Fleckenstein. Në këtë dokument thuhet se Shqipëria ka bërë progres mbresëlenës vitet e fundit në rrugën e integrimit dhe plotësimi i pesë prioriteteve i hap rrugën Shqipërisë drejt negociatave. Por, gjithashtu, jepen edhe vërejtje e propozime.

“Mungesa e dialogut politik pengon progresin e mëtejshëm drejt BE-së, – nënvizohet në të.- Marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët janë konstruktive dhe në përputhje me BE-në. Statusi kandidat duhet të shikohet si inkurajues për reformat. Konsiderohet jetik, bashkëpunimi politik mes partive. Kërkohet një kulturë politike bazuar në mirëkuptim dhe dialog.”

Në draft-rezolutë thuhet se “mirëpritet krijimi i grupeve të punës për monitorimin e plotësimit të 5 prioritete. Bëhet thirrje për krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku të përfshihet shoqëria civile. Theksohet roli i parlamentit si institucion kyç në demokraci dhe për këtë u bëhet thirrje autoriteteteve të forcojnë rolin e vet mbikqyrës.

Eshtë mirëpritur në këtë aspekt, rezoluta e parlamentit të 24 dhjetorit, në të cilën u pranua që opozita të kthehej ne parlament. Sugjerohet të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të adresohet çështja e njerëzve me rekorde kriminale, që kërkojnë poste publike. Bëhet thirrje për zbatimin e duhur të saj në mënyrë konstruktive, ndërsa i kërkohet të gjitha partive politike të përmirësojnë ndërtimin e konsensusit demokratik në mënyrë që të avancohet me procesin e anëtarësimit.

Konsiderohet e rëndësishme që shoqëria civile, media dhe qytetarët t’i mbajnë liderët e tyre llogaridhënës. Theksohet nevoja për zgjidhjen e sistemit të fragmentuar të qeverisë lokale dhe për krijimin e qeverisë funksionale lokale e aftë që t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve me shërbime efiçente publike.

Nënvizohet nevoja e forcimit të shtetit të së drejtës dhe reforma në gjyqësor, në mënyrë që të rritet niveli i besimit të publikut në këtë sistem. Gjyqësori ende me probleme, siç është politizimi dhe llogaridhënia e kufizuar, niveli i lartë i korrupsionit, burimet e pamjaftueshme. Autoritetet ftohen të ndjekin reformat në bashkëpunim konstruktiv me të gjithë aktorët politikë në bashkëpunim me Komisionin e Venecias.”

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb