NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Gjoba nga 10 milionë lekë deri në sekuestrim të të gjithë mallit gjendje është masa shtesë që do të aplikohet për bizneset që nuk lëshojnë kupon tatimor. Masa shtrënguese është pjesë e draftit që ka shpërndarë Ministria e Financave për mendim ministrive të linjës, dhe pritet të diskutohet dhe miratohet së shpejti. Në nenin 14 të tij, projektligji thotë se, për çdo biznes që është subjekt i tatimit mbi fitimin, pra kompanitë me xhiro më të mëdha se 8 milionë lekë në vit, gjoba për moslëshim kuponi do të jetë 10 milionë lekë, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë ajo do të jetë 500 mijë lekë. Paralelisht, veç gjobës, bizneseve që nuk lëshojnë kupon do t’u sekuestrohen edhe të gjitha mallrat gjendje. Këto masa ndëshkuese janë kur moslëshimi i kuponit konstatohet për herë të parë. Nëse kjo shkelje përsëritet, atëherë ajo do të konsiderohet si evazion dhe tatimpaguesi do të kallëzohet në prokurori për ndjekje penale. Masa ndëshkuese, pra gjobë me 10 milionë lekë dhe sekuestrim të mallit, do të aplikohen edhe kur biznesi mban apo përdor kasa fiskale që nuk janë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligj.

DRAFTI
Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave nuk ashpërson vetëm masat ndëshkuese për bizneset që nuk lëshojnë kupon dhe s’kanë kasa të rregullta. Paralelisht, ai i jep të drejta shtesë administratës tatimore që të përdorë forcën në mbledhjen e detyrimeve për bizneset, të cilat nuk e kanë shlyer atë në kohë. Sipas draftit, Tatimet vishen me fuqinë për të monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar. Ndërkohë, punonjësit e tatimeve të sekuestrojnë 50% të xhiros ditore nesë nuk paguan detyrimet. “Në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit”, thuhet në draft.

KASA FISKALE
Nëse një biznes mban apo përdor pajisje fiskale të cilat nuk janë në përputhje me këtë ligj apo aktet nënligjore në zbatim të tij, gjobitet me gjobë në masën 10 milionë lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor të të gjitha mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje, dhe gjobë në masën 500 mijë lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor të të gjitha mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje. Ndërsa tatimpaguesve të cilët me implementimin e sistemit të ri të IT, edhe pse nuk kanë pasur përgjegjësinë tatimore për një tatim apo taksë të caktuar, janë ngarkuar padrejtësisht me këtë përgjegjësi dhe për pasojë janë evidentuar si debitorë pranë administratës tatimore, deri në datën 31.08.2015 u shfuqizohen gjobat, interesat e përllogaritura.

(m.k/GazetShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb