NGA ERMELINDA HOXHA* TIRANË- Arsimi në vendin tonë, si ai i lartë, edhe ai parauniversitar, është në ‘vorbullën’ e ndryshimeve dhe të reformimit. Por asaj që i është dhënë një rëndësi e veçantë në të dyja draftet arsimore është mësuesia, pjesë që është e pashmangshme ta ndash, pasi kjo është pika e takimit midis arsimit parauniversitar dhe atij të lartë. Në pikat kryesore të draftit të arsimit parauniversitar, përcaktohet si domosdoshmëri reformimi i mësuesisë si cikël studimesh, por edhe dijet gjatë gjithë jetës, pra arsimtarët duhet të marrin dije të vazhdueshme gjatë kohës që ushtrojnë profesionin, nëpërmjet kualifikimeve.

Projektligji i arsimit të lartë, në nenin 81 përcakton programet e studimit në fushën e mësuesisë, të cilat duhet të zhvillohen në dy cikle. Ndërkohë që parashikohet edhe mbështetje financiare për ata studentë që pranojnë të ndjekin studimet në profile të ndryshme të mësuesisë dhe, në bazë të kontratave që do lidhin me Ministrinë e Arsimit, ata pas studimeve do shkojnë të japin mësim në ato zona ku ka nevojë MAS, – një praktikë kjo e ngjashme me specializimin afatgjatë të mjekëve.

ARSIMI I LARTË

Në projektligjin e arsimit të lartë përcaktohet se programet e studimit në fushën e mësuesisë për arsim parashkollor dhe arsim fillor organizohen në dy cikle: program i ciklit të parë Bachelor, në varësi të drejtimit të zgjedhur si mësues të arsimit parashkollor ose fillor, i cili formon ndihmës-mësues. Ndërsa programi i ciklit të dytë përfshin Master Profesional me 60 kredite, i cili formon mësues të arsimit parashkollor, si dhe Master Shkencor me 120 kreditë, i cili formon mësues të arsimit fillor. Në projektligj përcaktohet se programet e studimit në fushën e mësuesisë të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë organizohen si programe të ciklit të dytë të studimeve Master i Shkencave në Mësuesi

në fushën e formimit të shkencës përkatëse me 120 kredite, i cili formon mësues të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë. Këto programe të ciklit të dytë të studimit në fushën e mësuesisë duhet të përmbajnë 25% të krediteve në shërbim të formimit të përgjithshëm psiko-pedagogjik. Ndërsa programet e ciklit të dytë të studimit, që formojnë mësues të së njëjtës fushë të mësuesisë, duhet të kenë së paku 80% të kurrikulës me përmbajtje të njëjtë.

ARSIMI PARAUNIVERSITAR

Në strategjinë e arsimit parauniversitar ngrihet si problem përgatitja e mësuesve të rinj, e cila nuk po ecën me ritmet e duhura. Kjo gjë pasqyrohet me rezultatet e provimit të shtetit, ku gjysma e mësuesve të rinj nuk marrin dot provimin e licencës. Ndaj në draft propozohen një sërë ndryshimesh. “Konstatohet se kurrikulat, shpesh, janë të mbingarkuara dhe nuk tregohet vëmendje se çfarë programesh studimi janë të nevojshme për mësuesin e suksesshëm. Nuk zhvillohen sa duhet praktika të mbikëqyrura në mësim, sikundër ndryshojnë shumë nga një Fakultet Edukimi në tjetrin programet e studimit. Elementet më kritike kanë të bëjnë me përmbajtjet disiplinore, me teoritë e të nxënit, me pedagogjinë, me menaxhimin e klasës etj.

Përgatitja e mësuesve në Fakultetet e Edukimit karakterizohet nga struktura

të fragmentuara (programet për përgatitjen e mësuesve ofrohen nga 7 fakultetet) dhe nivele të ndryshme të cilësisë së përmbajtjes akademike dhe pedagogjike të programeve. Në Shqipëri, programet Bachelor për mësuesi i ndjekin studentët që nuk kanë shumë zgjedhje. Këtë e tregon numri i pikëve që të lejon të regjistrohesh në FE. E njëjta gjë për programet e Masterit të mësuesisë në UT që përgatit mësues për shkollën e mesme. Numri i kuotave është gjithnjë më i lartë se ai i kërkesave, duke i dhënë mundësi të regjistrohet kujtdo që ka mbaruar nivelin Bachelor, pavarësisht nivelit të përgatitjes shkencore të arritur në këtë nivel. Kjo gjendje duhet të ndryshojë, përmes nxitjes së maturantëve me rezultate të larta për të ndjekur Fakultetet e Edukimit”, shkruhet në draft. Ndaj propozohet dhënia e stimujve nxënësve me rezultate të larta që të shkojnë për mësuesi. Ndër të tjera, “Strategjia e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar 2014-2020” përcakton se pas vitit 2016, të gjithë punonjësit arsimorë nën moshën 55 vjeç, duhet të kenë përfunduar arsimin e lartë dhe të kenë marrë licencën për ushtrimin e profesionit. “Punonjësit arsimorë mbi këtë moshë, duhet të kenë dëshmuar, përmes provimit përkatës, zotërimin e kompetencave profesionale të kërkuara”, përcaktohet në strategjinë e arsimit parauniversitar.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: