NGA ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE-
Ditën e djeshme është prezantuar Projektligji i Arsimit të Lartë nga komisioni i cili e hartoi. Gjatë prezantimit kanë qenë të pranishëm dhe grupet e interesit. Anëtarët e Komisionit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor prezantuan secili sugjerimet e çdo institucioni të arsimit të lartë, publik e privat, dhe arsyet se përse disa prej sugjerimeve u përfshinë në projektligj e pse të tjera jo. Ajo që të bie në sy është se shumë nga propozimet e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, si dhe Senatit Akademik të UT-së, nuk janë marrë parasysh.

Në njoftimin për shtyp, MAS deklaron se komisioni deri në datën 6 mars pret sugjerime të tjera nga Senatet Akademike të universiteteve. Komisioni që u mor me hartimin e draftit ka bërë një hap pas, pas kërkesave të pedagogëve dhe studentëve se drafti cenonte të drejtat e tyre, pasi në draftin e djeshëm studentëve u njihet e drejta e votës për Rektorin. Në nenin 38, përcaktohet se pesha e votës së tyre për përzgjedhjen e Rektorit llogaritet në masën 10% të totalit të votave.

Projektligji
Gjatë prezantimit, Kryetari i Komisionit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, Arjan Gjonça tha se procesi për hartimin e ligjit të ri ka respektuar gjithëpërfshirjen duke dëgjuar çdo zë. “Një nga kritikat që i është bërë këtij projektligji ka qenë ajo se autonomia e universiteteve nuk ishte reflektuar aq sa duhej, siç ishte prezantuar në raportin përfundimtar të reformës në arsimin e lartë. Ju garantoj se në këtë version që keni sot, liria akademike shprehet përmes së drejtës për të organizuar veprimtarinë e mësimdhënies, atë kërkimore shkencore, për të hartuar dhe zhvilluar programet, për të menaxhuar procesin e dhënies së titujve. Këto reflektohen qartë në këtë projektligj”, – tha Gjonça.

Por edhe në projektligjin e prezantuar dje, shumë kërkesa të ngritura nga Senati i UT-së nuk janë marrë parasysh, duke nisur që nga hartimi i statutit, i cili duhet që paraprakisht të miratohet nga Bordi i Administrimit. Në draft, në nenin 32 thuhet se: “Senati Akademik miraton statutin e institucionit të arsimit të lartë me dy të tretat e votave të anëtarëve të tij pasi të jetë marrë miratimi paraprak i Bordit të Administrimit”. Po ashtu, në nenin 48 shkruhet se: “Bordi i Administrimit miraton paraprakisht statutin e institucionit të arsimit të lartë, para se t’i përcillet Senatit Akademik”.

Pranimet & Kuotat
Projektligji i ri i Arsimit të Lartë, sipas kryetarit të komisionit, Arjan Gjonça, u njeh të drejtën universiteteve të përcaktojnë kuotat e pranimit si dhe tarifat e shkollimit, gjë që më parë i kishte si kompetenca Ministria dhe Qeveria. “Për të përcaktuar kriteret e pranimit të studentëve e ka çdo departament, sipas programeve që ka. Senati mbetet dhe do të jetë organi përfaqësues ligjor akademik dhe protokollar i institucioneve të arsimit të lartë”, – thotë Gjonçaj.

Por për sa u përket kritereve të pranimit në ciklin e parë të studimeve, kriteri bazë është nota mesatare, dhe kjo do përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave. Vitin e parë mendohet të jetë 6, dhe më pas mesatarja e gjimnazit do përcaktohet 7. “Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave”, përcaktohet në nenin 37. Ndërsa kuotat dhe kriteret e tjera të pranimeve të studentëve në çdo cikël studimi i përcakton departamenti përkatës.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: