Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka shprehur kënaqësinë e saj që pa sot Opozitën e Bashkuar të dorëzojë një draft të sajin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Kim nga Himara komenton se është e kënaqur që opozita mori përgjegjësitë dhe vijon të jetë e angazhuar.

Po ashtu ajo riapelon që partitë duhet t’u qëndrojnë fjalës për ‘5 qershorin’ teksa thekson se duhet të sjellin në tryezë propozime reale. Kim thekson se ajo nuk ka hedhur firmën e saj mbi dokumentin e 5 qershorit, por thekson se palët që kanë nënshkruar duhet ta zbatojnë, dhe ajo pret diçka të tillë.

Në fund shton se në rast se palët bien dakord për masa të tjera pas ‘5 qershorit’, atëhere SHBA do i mbështesë.

‘’Jam shumë e kënaqur për faktin që opozita jashtë Kuvendit mori përgjegjësitë e saj. Për të qenë vazhduar për të përfaqësuar popullin. Është shumë e rëndësishme që të jetë e angazhuar. Dhe partitë të sjellin propozime reale, por dhe kundërpropozime reale.

Kam kuptuar që sot opozita ka bërë një propozim. Jam shumë e kënaqur që kam dëgjuar gjithashtu që PS do e marrë këtë kundërpropozim, dhe do ketë debat. Ky standarde sjellje i transparencës dhe përfshirjes, është saktësisht çfarë duhet të presim nga një vend i NATO, kandidat për në BE, dhe kryesues i OSBE.

Standarde të larta që i meritoni. SHBA ka qenë shumë e qartë. 5 qershori u arrit në mënyrë gjithpërfshirëse dhe transparente. Çdo parti që ka nënshkruar atë letër duhet të mbajë fjalën, është çështje nderi.

Firma ime nuk ndodhet mbi atë letër. Ata që kanë nënshkruar atë letër janë personat përgjegjës për të zbatuar 5 qershorin. Pritja ime është që 5 qershori do të respektohet. Nëse palët do të bien dakord për masa të tjera pas saj, ne do i mbështesim.’’- tha Kim.

Sot Opozita e Bashkuar dorëzoi në Këshillin Politik draftin e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që përcaktojnë një hapje të listave 100%, lejimin e koalicioneve parazgjedhore dhe rregullimin e kuotës gjinore në mandate në rast se nuk është respektuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb