TIRANË- Emisioni social “Njerëz në Fokus” i gazetares Ola Bruko në News24 i ka ardhur në ndihmë një vajze 11-vjeçare me sindromën down e cila nuk pranohej në një shkollë normale. Vajza Elkida Gjoni nga Durrësi është dërguar nga Drejtoria Arsimore në një shkollë speciale për fëmijë, por sipas prindërve 11-vjeçarja ka bërë regres në zhvillimin e saj.

Ndaj prindërit e saj kanë bërë kërkesë për ta dërguar në një shkollë normale por kjo gjë nuk është pranuar.

“E regjistruam në shtator tek shkolla 14 nëntori në klasën e parë. Mësuesja tha nuk mund ta mbaj, ngaqë kjo është 11 vjeçe, nuk është për në klasë të parë, është për në klasë të tretë. Komisioni vendosi që kjo fëmijë nuk mund të rrijë në klasë të parë, duhet në klasë të tretë ose të katërt. Si ta fus fëmijën në klasë të tretë apo të katërt pa ditur abc?”, tha me zërin që i dridhej Blerta Gjoni, nëna e 11-vjeçares, raporton “BalkanWeb”.

Nëna thotë se vendimin për ta regjistruar vajzën në shkollë e mori pasi ajo kishte përmirësime të dukshme në qendrën komunitare për aftësi të kufizuara. Pas vendimit të komisionit, 11-vjeçarja është regjistruar në një shkollë speciale, por sipas nënës ajo ka bërë hapa mbrapa dhe kërkon që t’i vihet në dispozicion një mësues ndihmës që Elkida të regjistrohet në klasën e parë.

“Kur e kemi sjellë këtu, shumë-shumë mirë. Ka ndryshime, se vjen tek shtëpia, vjen krejt e qetë edhe ka mësuar shumë gjëra. Ka mësuar shkronjat, disa numra, duke ngjyrosur. Kam qejf që Elkida të shkojë në shkollë normale dhe të ketë një mësuese ndihmëse”, thotë nëna e vajzës.

Por sot pas intervistës së nënës, “Njerëz në Fokus” ka komunikuar me Ministrinë e Arsimit. Rosalba Merdani, përgjegjëse e sektorit për politikat e Arsimit në MAS pas sqarimit se çfarë ndodh në këto raste, premtoi të angazhohej për zgjidhjen e çështjes së 11-vjeçares.

“DAR i Durrësit ngre komisionin multidisiplinar që vlerëson fëmijët se ku do arsimohen dhe jep rekomandimin. Ky rekomandim bazohet strikt në nevojën dhe mundësinë që ka fëmija për t’u arsimuar. Ky mund të jetë arsim special ose arsim gjithëpërfshirës. Në këtë rast komisioni është i detyruar që ta rivlerësojë situatën dhe të japë rekomandim për t’u arsimuar në shkollë gjithëpërfshirëse dhe të provojë edhe këtë model arsimimi.
Është drejtoria arsimore që përcakton shkollën ku do shkojë fëmija në varësi të mundësisë që ka. Durrësi ka mësues ndihmës dhe është në fazën e plotësimit me mësues të rinj ndihmës dhe do të trajtohet ky rast në këtë mënyrë. Do ta ndjekim këtë rast. Ne nuk kemi dijeni për këtë rast, është rast i panjohur për mua, do ta ndjekim me drejtorinë arsimore dhe do t’i japim një zgjidhje patjetër”, tha Merdani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb