NGA ENRIK MEHMETI
VLORE-Vladimir Nushit, nga fshati Fitore e Vlorës, i është përmbytur shtëpia, ndërsa ka humbur dhe 50 kokë dele, të vetmen pasuri me të cilën mbante familjen. “Nuk e mendova se uji do vinte te stani dhe te banesa që është afër stanit. As në vitin 2005 nuk ka ardhur kaq shumë ujë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Lumi Vjosë vërshoi në banesa brenda 1 ore dhe nuk dija ku të shkoja më parë, te stani për të shpëtuar delet apo të shpëtoja familjen. U ngjita në tarracë me fëmijët, pa mundur dot të shpëtoj gjë nga shtëpia përveç disa batanijeve”, – tha dje, 51-vjeçari. Ndërkohë, ai u shpreh se dëgjonte blegërimat e deleve dhe i therte në shpirt, por e kishte të pamundur të shkonte, për shkak të nivelit të ujit, i cili i kishte kaluar mbi një metër, ndërsa mungesa e energjisë elektrike bënte të mos dukej asgjë. “Çdo gjë brenda banesës u shkatërrua, dëmet janë kolosale. Kur zbardhi, pashë që delet kishin ngordhur të gjitha. Kërkuam ndihmë dhe erdhën e na morën nga tarraca e shtëpisë. Nuk di ku të përplas kokën. Kjo ishte gjëmë për familjen tonë. Shpresoj që shteti të na ndihmojë”, – u shpreh me lot në sy 51-vjeçari.

(Fotot nga LSA, momente të vështira teksa tentohet shpëtimi i bagëtive)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: