Nga: ERJON SKENDAJ
TIRANE – Fati i keq e ka dënuar të jetojë në një garazh makine, në një ambient mbytës, plot lagështi, ku nuk ka ngrohje dhe as ndriçim. Është kjo drama që shoqëron një nënë të re me dy fëmijë të vegjël. Prej 2 vitesh gruaja është divorcuar nga bashkëshorti që e dhunonte dhe jeton në më pak se 20 metra katror garazh me fëmijët 2 dhe 8 vjeç. Për të paguar qiranë e objektit, nënës së re i duhen 7 mijë lekë të reja për këtë muaj, ose në të kundërt duhet t’i lirojë banesën pronarit. Gruaja nuk do të identifikohet as me emër dhe as me fytyrë, pasi ka frikë nga opinioni që e rrethon, pjesë e të cilit është edhe familja e saj, e cila e ka braktisur atë dhe fëmijët pas vendimit të divorcit.

Bashkë me nënën, në garazh jetojnë edhe djali i saj 2-vjeçar si dhe vajza 8-vjeçe, e cila vuan nga një formë e rëndë e astmës. E dënuar nga fati i saj të jetojë në një ambient të lagësht dhe mbytës, ku mungon totalisht ngrohja dhe ndriçimi, shëndeti i vogëlushes 8- vjeçare sa vjen dhe rëndohet, ndërsa nëna e saj thotë se nuk i ka mbetur më asnjë lekë për t’i blerë vajzës ilaçet që për të janë jetike.
Drama e Valbonës dhe 2 fëmijëve të vegjël nisi 2 vite më parë, kur pas një grindjeje të momentit, ajo dhunohet nga bashkëshorti dhe përfundon në spital me dëmtime në trup. Pas ngjarjes gjykata vendosi urdhër mbrojtje për gruan, ndërsa bashkëshorti i saj u dënua me 10 muaj burg.
E mbetur e vetme në mes të katër rrugëve, me të ardhurat e vetme, 3 mijë e 600 lekë në muaj ndihmë ekonomike,Valbona vendos t’i drejtohet strukturave shtetërore për ndihmë, por nuk merr përgjigje. Asokohe ndihma e vetme i erdhi nga një organizatë jo qeveritare në mbrojtje të grave dhe vajzave të dhunuara, e cila i ofroi strehim dhe asistencë ligjore për 4 muaj. Me mbarimin e këtij afati, gruas dhe fëmijëve iu kërkua të dalin nga strehëza dhe të gjejnë një shtëpi me qira. Një shoqatë bamirësie u ofroi një pagesë qiraje për tre muaj. Me mbarimin e parave, pa punë dhe pa përkrahje, as nga shteti dhe as nga familja e saj, që e ka braktisur tashmë, nëna e re përfundoi në 2 muajt pasues në një garazh të lagësht në periferi të Laprakës, ku dhe prej aty rrezikon të mbetet në mes të rrugëve nëse nuk paguan 7 mijë lekë të reja për qiranë.
Për të ndihmuar Valbonën mund të telefononi në numrin 069 84 70 869.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb