TIRANE- Mbytja e një 14-vjeçari teksa lahej në lumin Shkumbin me vëllanë e kushëririn është një goditje e dytë për familjen e tij. Sipas Infoelbasanit, familja Alliu nga Hotolishti i Librazhdit ka edhe një djalë të vogël të paralizuar.

Klevis Alliu 14 vjeç humbi jetën dje, pasi shkoi të lahej në lumë bashkë me vëllain më të madh dhe një kushëririn e tij.

Ai është zhytur në vendin e quajtur “Hurdha e Qymyrit” dhe nuk ka dalë më prej andej. Vëllai dhe kushëriri kanë mundur ta nxjerrin në breg 14 vjeçarin, por ai nuk ka shpëtuar pasi kishte pirë shumë ujë.

Fëmijët e trembur kanë dhënë alarmin dhe në vendngjarje kanë mbërritur banorë të rastësishëm e më pas familjarët.

Trupi i pajetë i të miturit është dërguar në morgun e spitalit dhe i është nënshtruar ekspertimit për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Deri më tani vdekja është klasifikuar si aksidentale.

“Hurdha e Qymyrit” është një gropë e thellë dhe e rrezikshme në lumin Shkumbin në këtë vend të rrjedhës së tij.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb