Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës ka mbërritur “Java e Kulturës Italiane”, një program i pasur që solli artin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Një nga aktivitetet më të spikatura ishte shfaqja e dramës “Ndero babanë”, një projekt i përbashkët mes Teatrit “Zihni Sako” dhe Teatrit Publik të Pulias, Itali.

Drama sjell në skenë dy figura të forta femërore: burrneshën shqiptare dhe Franca Violën – gruaja italiane që në vitet ‘60 refuzoi martesën e detyruar. Shfaqja, në tri gjuhë – shqip, italisht dhe anglisht – është një reflektim mbi guximin, lirinë dhe rolin e gruas në shoqëri.

“Është kënaqësi që në skenën e teatrit ‘Zihni Sako’ vjen përsëri një performancë e mrekullueshme e këtyre artistëve shqiptarë dhe italianë, shprehje e bashkëpunimit të dy organizmave shumë të rëndësishëm – Teatrit Publik Puliez dhe Bashkisë Gjirokastër”, tha regjisori Milto Kutali

“Italia dhe Shqipëria janë bashkuar për të treguar këtë histori kaq të bukur. Qyteti i Gjirokastrës është vërtet i mrekullueshëm dhe e shijuam këtë eksperiencë në çdo aspekt”, u shpreh aktorja Ginevra Juni/

Ndërkohë, Lejda Çeli, aktore deklaroi:  ‘Ndero babanë’ është një bashkëpunim mes dy kulturave – ne flasim tri gjuhë dhe sjellim dy histori të ndryshme, por me shumë ngjashmëri që i bashkojnë.

Përveç dramës, “Java e Kulturës Italiane” ofron shfaqje teatrore e projeksione filmash, duke tërhequr edhe turistë italianë që vizitojnë qytetin historik. Këto aktivitete nxisin dialogun mes dy vendeve dhe sjellin më shumë bashkëpunime kulturore në të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb