Ankth i madh në ndeshjen e sotme të futbollit të femrave mes Partizanit dhe Bilishtit, e cila është ndërprerë pa u mbyllur ende pjesa e parë.

“Panorama Sport” mëson se 6 futbolliste të Bilishtit kanë pasur gjendje të fikti në fushë, ndërsa dy prej tyre në gjendje më të vështirë, janë transportuar menjëherë në spital. Delegati i ndeshjes, Endi Hyka, menjëherë ka urdhëruar ndërprerjen e lojës dhe ka njoftuar për ardhjen e ambulancave të tjera, për të qenë në gatishmëri në këtë situatë të pazakontë.

Dyshohet se lojtaret e Bilishtit janë helmuar prej ushqimit, por kjo mbetet për t’u konfirmuar pas kontrollit të hollësishëm mjekësor. Në momentin e ndërprerjes, Partizani po fitonte me shifrat 5-0.

Ndërkohë policia deklaroi se futbollistet kanë shfaqur probleme shendetsore si pasojë e shqetësimeve shëndetësore të mëparshme.

“Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale për disa futbolliste të cilat dyshohen se janë helmuar nga ushqimi, ju bëjmë me dije se pas verifikimeve paraprake të kryera nga sherbimet e Policisë të Komisariatit Nr.5 ka rezultuar se futbollistet kanë shfaqur probleme shendetsore si pasojë e shqetësimeve shëndetësore të mëparshme. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

Në një reagim për mediat mbi ngjarjen në ndeshjen e femrave Partizani-Bilisht Sport, deklaron se 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjëndje të fikti dhe janë shoqëruar në spital.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë dramën e klikimeve të krijuar ditën e sotme në lidhje me ndeshjen Partizani-Bilisht Sport, e vlefshme për javën e parafundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të femrave.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për javën e 21 të kampionatit, 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjëndje të fikti. Menjëherë vajzat janë shoqëruar në Spital nga Ambulanca, e sjellë nga klubi pritës, KFF Partizani, që kanë qëndruar së bashku me delegatin e ndeshjes, pranë vajzave. Tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e Spitalit.
I bëjmë thirrje të gjithë mediave që të jenë shumë të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve të tilla, duke parë që kanë të bëjnë me emocione të lojtareve, prindërve dhe të afërmëve të tyre. Në garën e ekslusiveve dhe klikimeve duhet të tregojmë sëpaku humanizëm dhe profesionalizëm”, deklaron FSHF.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb