SERBI-Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, është vija e kuqe e cila nuk duhet të kalohet, ka thënë Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, Milovan Drecun. Deklarata është bërë pas takimit të Drecunit me delegacionin për çështjet Ndërkombëtare në Parlamentin e Rusisë.

Në krye të këtij delegacioni është Kryetari i Komisionit për çështje ndërkombëtare në Parlamentin e Rusisë, Aleksej Pushkov, shkruan B92, transmeton lajmi.net.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun ka thënë se Serbia është e gatshme që të bëjë përpjekje për të mbrojtur integritetin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Ai ka shtuar se Serbia e konsideron Kosovën, si territor të paprekshëm të sajin, ndërsa problemin me Kosovën dëshiron ta zgjidhë në mënyrë paqësore me kompromis dhe marrëveshje. Ai ka vazhduar duke thënë që Serbia statusin e Kosovës e ndërton mbi rezolutën 1244.

Sipas tij, Serbia ka bërë gjithçka që ka mundur për normalizimin e raporteve, me qëllim që të zgjidhë situatën dhe të stabilizojë situatën në Kosovë. Në anën tjetër, Kryetari i Komisionit për çështje ndërkombëtare në Parlamentin Rus, Aleksej Pushkov ka thënë që stabiliteti në Ballkan është shumë i rëndësishëm, sepse destabilizimi në këtë zonë pasqyrohet edhe në pjesën tjetër të botës.

Duke folur për Pavarësinë e Kosovës, Pushkov ka thënë se ky status i Kosovës është bërë me të drejta ndërkombëtare relative, dhe jo absolute. Ai ka thënë që Serbinë e pret një periudhë e vështirë, sepse duhet të balancojë çështjen e integrimit në BE dhe përpjekjet për ta “mbajtur” Kosovën nën Serbi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb