TIRANE – Deputeti socialist i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Ulsi Manja deklaroi dje, në një intervistë për “Deutsche Welle”, se institucionet e reja të drejtësisë do të jenë gati pranverën e ardhshme.

Si mbërrijnë gjyqtarët dhe prokurorët në procesin e vetingut?
Ligji për vetingun, i miratuar së fundmi, ka përcaktuar shumë qartë: brenda 30 ditëve nga hyrja e tij në fuqi, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, pavarësisht nga niveli dhe statusi, që nga shkalla e parë deri në Gjykatën e Lartë, detyrohen me ligj të plotësojnë formularin e pasurisë, atë të kontrollit të figurës dhe së fundi formularin e aftësive profesionale, tri drejtime të përcaktuara nga Kushtetuta.
Z. Manja, a mund të na tregoni si do të bëhet konkretisht vetingu?
Një nga propozimet e opozitës në Komisionin e Reformës në Drejtësi ka qenë që vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët të kryhet sipas një kalendari individual. Por ky propozim nuk u pranua. Kjo pasi në ndryshimet kushtetuese, të miratuara me unanimitet me votën e 140 deputetëve në korrikun e kaluar, janë përcaktuar afate kohore për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. P.sh., Këshill i Lartë i Pro-kurorisë duhet të ngrihet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese. Por ne nuk e dimë se cilët mund të jenë 6 pro-kurorët që do të jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi ata do të dalin pas kryerjes së vetingut të të gjithë atyre që futen në garë. Shkurt, të gjithë gjy-qtarët dhe prokurorët, në të gjitha nivelet, që konkurrojnë për të qenë pjesë e organeve të Drejtësisë: në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, duhet të kalojnë në procesin e vetingut. Nuk mund të paracaktohet se cilët do të jenë ata gjyqtarë dhe prokurorë që do të hyjnë dhe fitojnë garën pa përfunduar vetingu. Prandaj, thelbi i reformës në drejtësi është skaneri i sistemit aktual të drejtësisë përmes vetingut. Sipas Komisionit të Venecias, ka pasur përpjekje në Ukrainë për të bërë një veting, por ky komision nuk e përkrahu, sepse përqasja ishte selektive – kërkohej të identifikoheshin gjyqtarët dhe prokurorët e papërshtatshëm në sistem. Kurse vetingu në reformën e drejtësisë në Shqipëri mori dritën e gjelbër nga Komision i Venecias, sepse ai është gjithëpërfshirës dhe tërësor, pa dallim. Prokurorët dhe gjyqtarët që do të ngelin në rrjetën e vetingut, ashtu si ka përcaktuar Kushtetuta, do të largohen nga sistemi. Fjalën më pas e kanë ata prokurorë dhe gjyqtarë që kanë kaluar me sukses vetingun.
Ka pasur reagime të ashpra nga shoqatat e gazetarëve kundër dy neneve në dy projektligje për funksionimin e institucioneve të reja, që tentojnë të ndëshkojnë me ligj gazetarët, nëse produktet e tyre mediatike shkaktojnë “ndikim të papërshtatshëm që cenon pavarësinë e prokurorëve”. A e përjashton garantimi i pavarësisë së prokurorëve të drejtën e lirisë së shprehjes, të misionit të medias si “watch dog”?
Janë dy nene identike në dy projektligje: njëri për ngritjen dhe funksionimin e prokurorisë, dhe tjetri për SPAK. Ka pasur një keqkuptim të paqëllimshëm në këto 2 nene, i shkaktuar nga përkthimi jo i saktë i nenit në shqip prej gjuhës origjinale të vendit nga janë marrë për t’u adaptuar këto dy projektligje. Ne jemi mbështetur më shumë në përvojën e Kroacisë dhe Rumanisë si edhe atë amerikane. Gjithsesi, pas kundërshtimit të drejtë të gazetarëve, u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me përfaqësues të mediave për këto dy nene. Kemi vendosur t’i riformulojmë për një ekuilibër kushtetues mes pavarësisë kushtetuese të prokurorëve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese dhe garantimit të lirisë kushtetuese të shprehjes. Formulimi “ndikim i papërshtatshëm që cenon pavarësinë e pro-kurorëve” lë hapësirë për keqinterpretim, pasi ligji nuk përcakton se kush është organi që vlerëson ndikimin e papërshtatshëm. Ndikimi i paligjshëm është koncept ligjor dhe i parashikuar në Kodin Penal, pra subjekti që e shkel këtë përcaktim ligjor mban përgjegjësi ligjore.
Fillimi i mbarë, me fakte, i zbatimit të reformës në drejtësi, është edhe testi që Shqipërisë i duhet të kalojë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Jeni optimist se kjo do të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm?
Reforma në sistemin e drejtësisë është domosdoshmëri për qytetarët e Shqipërisë, që për më shumë se 20 vjet mbetën në dyert e gjykatave dhe nuk iu dha drejtësi. Ata presin me padurim që të kemi një sistem të drejtësisë penale, që merr në mbrojtje viktimat dhe trajton njëlloj subjektet e procedimit penal. Palët e treguan vullnetin e tyre politik me votën unanime të miratimit të ndryshimeve kushtetuese në 22 korrikun e kaluar. Tani kanë mbetur 6 projektligje për t’u miratuar, kemi një proces tekniko-legjislativ, jo politik. Duhet t’u japim jetë ndryshimeve kushtetuese dhe në pranverën e vitit të ardhshëm të fillojë funksionimi i institucioneve të reja. Jam optimist, jam shpresëplotë që opozita do të jetë pjesë e procesit.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb