Nga: XHEVAT MUSTAFA*
Në Shqipërinë e këtyre rreth 24 viteve të demokracisë apo të pluralizmit është shprehur se pavarësia apo pandikueshmëria nga politika e qeverisja si dhe nga disa “pushtete” të tjera, si “dhuratat” e parefuzueshme dhe ndëshkimet e shtrenjtëpagueshme, e institucioneve të drejtësisë, prokurori e gjykata, ka qenë dhe do të mbetet gjatë një ëndërr apo dëshirë joshëse, mashtruese, e parealizueshme. Me dëshirën për të mos rënë në nihilizëm e skepticizëm mund të pranohen disa përjashtime të rralla, sa mund të numërohen me gishta e që mund të cilësohen si shmangie të rastësishme, të papritura e të çuditshme nga tradita apo e përgjithshmja. Si të tilla është e vështirë të mendohet dhe besohet se këto përjashtime të mund të rrëzojnë bindjen masive të qytetarëve dhe ndërkombëtareve si dhe rezultatet e sondazheve për nivelin e lartë të korrupsionit e të varësisë nga politika apo qeverisjet në institucionet e drejtësisë shqiptare. Fatkeqësisht, jo rrallëherë kjo bindje shkon deri aty sa nga plot qytetarë të mendohet apo shprehet se të kërkosh paanësi, pavarësi, ndershmëri, për të gjitha apo shumicën e rasteve, në prokurori e gjykata është thuajse njësoj sikur të kërkosh gjilpërën në kashtë apo një grimcë sheqeri në rërë. Kjo mund të kuptohet e shpjegohet më mirë duke iu referuar edhe një thënie të shkrimtarit të madh argjentinas, Ernesto Sabato se “asgjë që është njerëzore nuk është tërësisht e pastër”. Apo shprehjes se “njerëzit vijnë në këtë botë krejt të pafajshëm dhe ikin në botën e përtejme pak apo shumë mëkatarë”. Këto shprehje mund t’u shërbejë njerëzve të drejtësisë edhe si justifikim, edhe për qetësim apo ngushëllim, sidomos në ato raste kur i vret ndërgjegja shpejt apo vonë për marrjen e vendimeve të padrejta. Kjo panoramë e realitetit tonë edhe në fushën e institucioneve të drejtësisë, ku mbizotërojnë ngjyrat e errëta, nuk është e rastësishme apo aksidentale. Ajo është frymëzuar apo përcaktohet nga një kompleks faktorësh, më së shumti me origjinë shqiptare e ballkanike. Nëse do të bënim një listë të këtyre faktorëve, në vendet e para mund të rendisnim mungesën e një shteti ligjor modern, të fortë e funksional; mbizotërimin deri në autokratizëm të liderëve apo kulteve partiake e shtetërore; trashëgiminë, përvojën, mentalitetin, nivelin dhe integritetin profesional; përzgjedhjen selektive të ekipeve të prokurorëve dhe të gjykatave; përkatësinë, preferencën apo bindjen dhe partishmërinë politike, familjare e personale të tyre… Gjyqtarët dhe prokurorët tanë nuk janë jashtëtokësorë, por bij e bija nënash e baballarësh, me lidhje të tjera të shumta familjare, farefisnore, shoqërore, krushqish, miqësish… Mbi këtë mori apo lëmsh lidhjesh e ka bazën edhe një thënie e hershme, karakterizuese e homogjenitetit tonë si popull e si vend, se “ne rreth 3 milionë shqiptarët (në hartën shtetërore) dalim kushërinj”. Të gjithë jetojmë në Shqipëri e në një vend ballkanik. Pra, edhe gjyqtarët, prokurorët, paditësit, të akuzuarit apo fajtorët, dëshmitarët, policët… kanë familje, gra, fëmijë, synime, ambicie dhe interesa të shumta. Mund të kenë grishje, dëshirë apo ambicie për të qenë të ndershëm, të paanshëm, të pandikueshëm, kurajozë, për t’i përballuar joshjet dhe presionet shumëformëshe. Por në jetë e në karrierë, në procese hetimesh dhe gjykimesh, vijnë ditë, orë e çaste kur dëshirat janë tejet të pafuqishme përballë joshjeve, interesave, presioneve, rreziqeve… Dilema apo drama mund të shprehet shqip fare edhe në formën: dëshiron të kesh përfitime, pasuri, karrierë të suksesshme, jetë familjare mes bollëkut dhe lumturisë apo do t’i shkelmosh të gjitha për t’u lavdëruar nja 3 ditë si idealist dhe i ndershëm? Bëji mirë llogaritë i dashur prokuror e gjyqtar! Mos harro se ndershmëria, të paktën në këta rreth 24 vitet e fundit shihet dhe vlerësohet si diçka jashtë kohe dhe mode, biles edhe më keq, si naivitet dhe budallallëk. Ajo nuk të jep as bukë e djathtë me bollëk për tërë jetën, as siguri të pafund karriere, jetese dhe financiare, as mundësi për fundjava apo pushime verore në hotele dhe restorante luksoze me familjen apo me të dashurat, as vetura e fuoristrada të reja, as vila në qytet dhe në zonat turistike më të preferuara, as shkollim të fëmijëve në shkollat dhe universitetet private më prestigjioze në vend e në botë…. Ashtu si Akili i Homerit të lashtësisë, edhe ju njerëzit e drejtësisë keni pikat e tuaja të dobëta apo të zbuluara. Prej tyre mund t’u hapen plagë që mund t’i ndjeni gjatë gjithë jetës. Në të kundërt, mund të keni përfitime, që t’ua bëjnë parajsë jetën tokësore. Pra, zgjidhni e merrni, të dashur e të nderuar prokurorë e gjyqtarë! Megjithatë, miqtë tanë ndërkombëtarë nga Uashingtoni, Brukseli apo Tirana, me dëshirën e tyre të mirë e të sinqertë që të ndikojnë pozitivisht edhe tek institucionet e prokurorisë dhe të drejtësisë në Shqipëri, ashtu si gjatë rreth 25 viteve, edhe në rastin e freskët të çështjes “Tom Doshi-Mark Frroku-Durim Bami-Ilir Meta”, kanë këshilluar e kërkuar mosndërhyrje të politikës mbi institucionet e prokurorisë e të drejtësisë si dhe paanësi, pavarësi dhe përgjegjshmëri të lartë profesionale nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve që po merren me hetimin dhe gjykimin e kësaj çështjeje, apo të këtij lëmshi alla-shqiptar e alla-ballkanik. Për këto meritojnë respekt, mirënjohje dhe mbështetje nga të gjithë ne qytetarët, duke shprehur shumë më tepër e masivisht një nivel bashkëkohor apo evropiano-perëndimor edukate qytetare dhe emancipimi politik e sa më pak partishmëri apo militantizëm të verbër. Ndërsa nga politika dhe njerëzit e drejtësisë, përveç respektit dhe mirënjohjes së sinqertë, pritet të shprehen edhe reflektime të qarta në veprimet dhe vendimmarrjet e tyre. Tradita e gjatë dhe e pasur me fakte apo dyshime për ndërhyrje dhe ndikim të qarqeve të larta të politikës dhe qeverisjeve mbi institucionet e prokurorisë e të drejtësisë, lënia e hapësirës për dyshime mbi mundësinë e konfliktit të interesave, të shtyjnë t’i vlerësosh me një koeficient ndjeshëm më të ulët sinqeriteti e besueshmërie këshillat që i kanë dhënë kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe nëpërmjet tij, vartësve të tij dhe gjykatësve, kryeministri Edi Rama, kryetari i Parlamentit, Ilir Meta; ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Kryetari i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, Spartak Braho. Bazuar po tek tradicioni, përvoja, mentaliteti mbizotërues dhe nga realiteti, nuk mund të jetë e lehtë që të mos ndjesh shtyrjen, shtypjen apo tërheqjen nga parandjenjat e paragjykimit dhe skepticizmit. Këto mund të shkojnë deri aty sa të mendosh se në këtë vend, sot e për shumë më mote më pas, t’i thuash politikës dhe qeverisjeve mos ndërhyni në institucionet e drejtësisë dhe këtyre që të mos pranojnë dhe reflektojnë ndikimin e politikës, të qeverisë e të shtetit, është thuajse njësoj sikur t’u flasësh plotësisht të shurdhërve nga të dy veshët. Shprehur edhe më konkretisht, nga gjithë sa kemi përjetuar, dëgjuar e lexuar, gjykoj se deri tani në kandarin shqiptar peshojnë ndjeshëm më shumë rastet apo faktet, sipas të cilave zotët e politikës dhe të qeverisjeve e kanë përgjithësisht të pamundur të bëjnë të pandjeshmin, indiferentin apo spektatorin, kur ndonjëri prej tyre ose njerëzve të tyre të afërt “pickohet” apo kilikoset publikisht e ligjërisht. Nga ana tjetër, edhe plot prokurorëve dhe gjyqtarëve u është bërë shprehi, zakon apo traditë, që të presin e të kenë zëra urdhërues e shpërblyes në prag vendimmarrjesh, nga të cilat mund t’u vërshojnë apo pikojnë përfitime të mëdha. Qofsha i gabuar, por nuk mund të mendohet dhe besohet pa asnjë mëdyshje dhe rezervë se edhe gjyqtarët e Gjykatave të Hagës apo Strasburgut janë në të gjitha rastet 100% të pandjeshëm e të pandikueshëm nga ndërhyrje nga jashtë e nga brenda, nga interesat e tyre personale apo të të tjerëve. Nisur nga shtrirja shumë e gjerë dhe plotpushtetshmëria e korrupsionit, edhe në institucionet e drejtësisë, personalisht e kam të vështirë ta flak tutje një herë e mirë mendimin se ne ballkanasit jemi aq të zgjuar apo “specialistë”, kurajozë e këmbëngulës, sa mund t’ua gjejmë “pikën e dobët” apo anën edhe ndonjë gjyqtari të gjykatës hyjnore, në botën e përtejme. Nga veprime e mosveprime në kohën dhe vendin e duhur prej figurave më të larta qeverisëse dhe shtetërore të përfshira apo angazhuara në çështjen “Tom Doshi”, nga trajtimi dhe deklaratat e dëshmitarëve kyç, nga vonesa e përcjelljes lart nga INTERPOL Tirana tek hallkat superiore të kërkesës së INTERPOL Brukseli… lihet hapësirë e mjaftueshme për të menduar se akuzuesi nuk është as “i çmendur” dhe as “ëngjëll”. Po prej kësaj hapësire dyshuese nuk mund të mendohet se i akuzuari prej tij, për hir të pushtetit të lartë shtetëror dhe vazhdimësisë së qetë të koalicionit qeverisës deri në fund të mandatit katërvjeçar, duhet shikuar, besuar e trajtuar i pamëkat, si ëngjëll.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: