TIRANE

Në “burgun” e stërmadh që ka hapur koronavirusi kanë përfunduar të varfër dhe të pasur, të ditur dhe të paditur, qytetarë të thjeshtë dhe ligjvënës të fuqishëm. Të gjithë ndihen të hutuar, të frikësuar brenda vorbullës së madhe, e ndërsa rreken të shikojnë dritën në fund të tunelit i kanë drejtuar më shumë se kurrë sytë nga Zoti. Në këtë burg të paimagjinueshëm kanë përfunduar dhe juristët, të cilët gjatë karrierës së tyre kanë mbrojtur të drejtat e klientëve të tyre, të paraburgosur dhe të burgosur. Ndonëse e frikshme, për ta ngjan interesante përjetimi i çuditshëm i këtyre ditëve, kjo kohë e pakohë që ka turbulluar deri në qelizë mendjen njerëzore. Ndërkohë që i bën të reflektojnë thellë për atë çfarë ndodh rreth e rrotull tyre, i zbret nga “qelia” ku ndodhen aktualisht në terrenin e tyre, atë të së drejtës, të ligjit, duke parë me sy kritik se çfarë funksionon dhe dhe jo në këtë kohë kaosi dhe izolimi. “Beteja”, kësaj here nuk bëhet në sallat e gjyqeve, por në një hapësirë shumë të madhe dhe ku janë përfshirë shumë palë në lojë, betejë kjo që duhet fituar.

“Pandemia ka shkatërruar shumë jetë dhe po godet në të gjitha fushat e jetës, atë sociale, politike, ekonomike dhe juridike, ndaj ka nevojë për të gjithë në këtë betejë, e cila nuk mund të fitohet po nuk u bënë bashkë të gjithë. Nuk mund të vazhdojmë të qëndrojmë të izoluar edhe mendërisht e të jemi thjesht spektatorë të këtij teatri tragjik që po luhet në skenën e planetit”,kështu shprehet një ndër avokatët më të njohur në Shqipëri. Bëhet fjalë për Vladimir Meçin, i cili në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” flet në këndvështrimin e tij si qytetar, dhe si jurist për atë çfarë po ndodh. Avokati deklaron se ligji ka shfaqur paaftësinë e tij për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive problemeve që kanë lindur si pasojë e krizës sanitare. Sipas tij, mungesa e parashikimeve ligjore për këtë situatë, pezullimi i proceseve dhe afateve proceduriale, gjetjet e thjeshtëzuara për zhvillimin e proceseve online, duke përdorur teknologjinë e informacionit, videokonferencat,etj., nga njëra anë rrezikon që këto procese dhe vendimet që do merren në to, të deklarohen në të ardhmen të pavlefshme. Ndër të tjera, Meçi thotë se propozimi i bërë për të penalizuar ata persona që thyejnë karantinën duke parashikuar dhe dënime të rënda për ta, nuk është as logjik dhe as human.
Që prej një muaji jemi të izoluar nga virusi i tmerrshëm Covid-19, i cili ka “pushtuar” botën. Ç’po ndodh realisht avokat? Si vjen kjo situatë e trishtë në perceptimin tuaj?
Vazhdon karantina. Si komunikata ditore të luftës, kryetitujt e lajmeve raportojnë numrin e të infektuarve nga Covid-19, numrin e viktimave gjithmonë në rritje në të gjithë planetin. Dhe më të fuqishmit janë gjunjëzuar. Beteja sapo ka filluar dhe nuk dihet sa do të vazhdojë akoma. Të gjithë janë në mbrojtje, të mbyllur, të izoluar, kush në banesë, kush në karantinat e improvizuara. Të tjerë lëngojnë në klinika, spitale, reparte të terapisë intensive. Dita ditës shtohet numri i trupave në morg. Rrugët, sheshet, parqet janë të zbrazëta. Të gjithë janë të frikësuar, frika është emëruesi i përbashkët i të gjithëve, e ndryshme është vetëm forma si ajo shfaqet.
Si duhet të reagojmë në këtë rast, ku duhet të konsistojë kontributi ynë në këtë situatë të pazakontë?
Në këtë moment është e domosdoshme të vrasim frikën, të lexojmë dhe kuptojmë siç duhet atë që po ndodh sot nga kjo pandemi vrastare. Të pranojmë me qetësi se jeta jonë ka ndryshuar tashmë duke pranuar njëkohësisht limitet tona dhe të përgatitemi me guxim për të nesërmen. Kjo detyron secilin prej nesh që të kontribuojë, sipas mundësive dhe eksperiencës që zotëron.
Ekspertët e fushës jo vetëm këtu, por në rang botëror edhe pse ende konfuzë për një mijë e një gjëra në lidhje me pandeminë, mendojnë se kjo situatë do vazhdojë gjatë. Si mund ta fitojmë këtë betejë para një armiku të padukshëm?
Pandemia ka shkatërruar shumë jetë dhe po godet në të gjitha fushat e jetës, atë sociale, politike, ekonomike dhe juridike, ndaj ka nevojë për të gjithë në këtë betejë, e cila nuk mund të fitohet po nuk u bënë bashkë të gjithë. Nuk mund të vazhdojmë të qëndrojmë të izoluar edhe mendërisht e të jemi thjesht spektatorë të këtij teatri tragjik që po luhet në skenën e planetit.
Si një nga juristët më me përvojë në Shqipëri, mund të na thoni se sa efektiv është ligji si instrument i shoqërisë për zgjidhjen e problemeve që kanë lindur në këtë kohë karantine?
Ne juristet, në këtë periudhë, duhet të ndërgjegjësohemi se ligji, si instrumenti i shoqërisë për realizimin e qëllimeve të saj sociale, që duhet të jetë në gjendje të plotësojë interesat e shoqërisë dhe t’u jap zgjidhje problemeve të zhvillimit të saj, në kushtet e pandemisë është vënë në vështirësi. Ai ka shfaqur paaftësinë e tij për t’u përgjigjur në mënyrë efektive problemeve që kanë lindur si pasojë e krizës sanitare.
Ku reflektohet me se shumti paaftesia e ligjit?
Me deklarimin nga OBSH të gjendjes së pandemisë si pasojë e Covid-19, u pa se edhe legjislacioni ynë është me mangësi, i paqartë. U ndje kjo në paaftësinë që paraqiste legjislacioni në fuqi në kushtet e një emergjence si kjo e tashmja, e cila kërkon reagim të menjëhershëm, vendim marrje që shpesh herë tejkalojnë kompetencat e njohura nga ligji të qeverisë dhe që shkojnë drejt fuqizimit të pushtetit të saj. Qeveria u përgjigj me një Akt normativ duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikes së Shqipërisë. Masat e marra nga qeveria natyrisht që janë të domosdoshme në kushtet e gjendjes së pandemisë, pasi synojnë mbrojtjen e jetës së njerëzve, por sa është në binarët e ligjit akti normativ dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij? Akti normativ është një akt juridik me fuqinë e ligjit, të cilin e nxjerr Këshilli i Ministrave në rast nevoje dhe urgjence për marrjen e masave të përkohshme në bazë të nenit 101 të Kushtetutes.
Çfarë përcakton konkretisht Kushtetuta në rast urgjence?
Kushtetuta përcakton cila është “gjendja e luftës”, “gjendja e jashtëzakonshme” dhe ngarkon Kuvendin që t’i shpall a deklarojë ato. Në nenin 174 të Kushtetutës bëhet fjalë edhe për fatkeqësinë natyrore apo aksidentin teknologjik dhe sipas kësaj dispozite Këshilli i Ministrave mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.
A është e përcaktuar në Kushtetutë gjendja e pandemisë?
Sipas mendimit tim, në Kushtetutë duhet të parashikohet edhe gjendja e pandemisë, e cila është disi e ndryshme nga ajo e fatkeqësisë natyrore (siç është tërmeti p.sh.) apo gjendja e krijuar nga një aksident teknologjik(shpërthimi i reaktorit në Çernobil p.sh.). Ndryshe nga dy të parat, gjendja e pandemisë dikton marrjen e disa masave, të cilat synojnë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve, por nga ana tjetër, vendosin një sërë kufizimesh në të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe jo vetëm. Ajo ka prekur dhe funksionimin normal të shoqërisë. Akti normativ dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij jo rrallë kanë krijuar keqkuptime dhe polemika në opinionin publik. Rregullat e përcaktuara në to, shihen me shumë si mjete për fuqizimin e pushtetit të ekzekutivit se sa si rregulla që synojnë mbrojtjen e jetës së qytetarit.
Kjo është dhe arsyeja që institucionet janë vënë në qendër të kritikave, të cilat jo gjithmonë janë të padrejta. Duke iu rikthyer idesë së parashikimit në Kushtetutë të gjendjes së pandemisë, duhet të vendoset edhe detyrimi në të, që si në rastin e fatkeqësisë natyrore apo aksidentit teknologjik edhe për gjendjen e pandemisë, të specifikohen me ligj të veçantë detyrat e qeverisjes qendrore, asaj vendore dhe institucioneve të tjera. Kjo me qëllim që të mos ketë konfuzion lidhur me to, e kështu do të dihet se kush duhet të vendosë, për çfarë dhe pse duhet të vendos.
Sa ndikon mungesa e parashikimeve ligjore në këtë situatë, në lidhje me proceset gjyqësore, afatet proceduriale, sistemin e drejtësisë në terësi?
Në këtë situatë dhe drejtësia është në krizë. Mungesa e parashikimeve ligjore për këtë situatë, pezullimi i proceseve dhe afateve proceduriale, gjetjet e thjeshtëzuara për zhvillimin e proceseve online, duke përdorur teknologjinë e informacionit, videokonferencat,etj., ngë njëra anë rrezikon që këto procese dhe vendimet që do merren në to, të deklarohen në të ardhmen të pavlefshme dhe nga ana tjetër cënon të drejtat e palëve, të të pandehurve për të patur akses, për të patur një mbrojtje adeguate, për të debatuar mbi provat, e këto të fundit formohen vetëm në gjykim, etj.etj.
Shqipëria është një shtet i së drejtës, një shtet ku synohet sundimi i ligjit, ku Kushtetuta garanton të drejtën e mbrojtjes, garanton procesin e rregullt ligjor, ku sigurohen të gjitha të drejtat dhe garancitë proceduriale të palëve. Ndërsa në procesin civil, përdorimi i teknologjisë së informacionit është më i pranueshëm, pasi palët komunikojnë me shkrim qendrimet e tyre dhe provat, në procesin penal, kjo mënyrë e zhvillimit të procesit është e nxituar. Nuk duhet të ngutemi dhe të nisemi nga një interes i momentit për të adoptuar metoda që ligji procedurial nuk i parashikon. Gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe juristët duhet të angazhohen për t’i propozuar ligjvënësit me qetësi dhe maturinë e nevojshme ndryshimet në ligj që do ta bënin procesin të rregullt dhe të ligjshëm edhe duke përdorur teknologjinë e informacionit. Po kështu, shtyrja e proceseve, pezullimi i tyre apo i afateve proceduriale, nuk mund të bëhet jashtë parashikimeve ligjore në kodet e procedurës penale, civile apo administrative. Një tjetër problem që doja të trajtoja ështe ai qe lidhet me te burosurit dhe paraburgosurit, te cilet jane kontigjenti me vulnerabel nese preken nga pandemia.
Çfarë sugjeroni konkretisht për të burgosurit dhe të paraburgosurit në këtë situatë pandemie?
Në kushtet e pandemisë, do ishte me vend që të liroheshin sa më tepër prej tyre, natyrisht duke përcaktuar kriteret e nevojshme në ligj, sikundër mund të zëvëndësohej pjesa e mbetur e dënimit me lloje alternative dënimi, edhe me ato që nuk parashikohen aktualisht në ligj. Është për t’u përshëndetur direktiva e Prokurorit të Përgjithshëm, që sipas rastit të aplikohen masa të sigurimit personal të ndryshme nga arresti në burg. Në fakt, edhe pa gjendjen e pandemisë arresti në burg duhet të vendoset kur asnjë masë tjetër nuk është e përshtatshme, por në realitet ai nga përjashtim nga rregulli është kthyer në rregullin vetë.
Cili është opinioni juaj mbi propozimin e bëra për të penalizuar ata persona që thyejnë karantinën duke parashikuar dhe dënime të rënda për ta?
Propozimi i bërë përveçse nuk është logjikë, ai nuk është as human. Një i kontaminuar nga virusi është një person me një problem më shumë që ka nevojë për t’u ndihmuar dhe kuruar. Nëse dikush që e di se është i sëmurë apo bartës i virusit, dhe me dashje infekton dhe personat e tjerë, ai mund të përgjigjet penalisht për vrasje dhe nuk ka nevojë për ta ngarkuar kodin penal dhe me një vepër penale të re.
Shkelja e karantinës le të konsiderohet maksimumi një kundravajtje administrative dhe shkelësi të gjobitet. Në një situatë të gjendjes së pandemisë, shteti duhet të tregojë që është human, që kujdeset për jetën e njerëzve. Masat represive bien ndesh me atë që kurrë nuk i ka munguar popullit shqiptar: Humanizmin. BURIMI: G.SH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb