BURREL- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, nga Burreli ku merrte pjesë në përkujtimin e 25-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, ka komentuar edhe situatën e reformës në drejtësi. Sipas Ristanit, të gjitha palët tashmë kanë rënë dakord për këtë reformë si dhe janë pajtuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias, të cilat ishin ngritur edhe nga ekspertët e Partisë Demokratike.

Por për Ristanin, zgjidhja e vetme për të shpëtuar nga qeverisja aktuale, është bindja e popullit për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë, vendi do të shkonte drejt stabilizimit, sepse qëllimi i vetëm i kryeministrit Rama është ta kapë drejtësinë e jo ta zhveshë nga të korruptuarit.

Ndërsa kryetari i degës së Partisë Demokratike Mat, Alfred Ahmetcenaj, tha se zotimi i demokratëve me në krye liderin Lulzim Basha, është që ta largojnë këtë të keqe që ka mbërthyer vendin, sa më shpejt.

Në 25-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike Mat, morën pjesë deputetët e Qarkut Dibër, Bedri Hoxha e Roland Keta, si dhe themelues të kësaj force politike në 1991.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb