KORÇË
Policia e Korçës ka arrestuar një 30-vjeçar dhe ka proceduar një tjetër të ri pas dy aksidenteve të ndodhura ditën e djeshme.
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin R. B., 30 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll.
Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, pranë kryqëzimit të fshatit Progër, është përplasur me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. M., i cili për pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën. Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se 30-vjeçari R. B. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 20 vjeç, banues në fshatin Koshnicë, Devoll, pasi në rrugën “Ziçisht-Bilisht”, pranë fshatit Fitore, Devoll, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar shtetasen M. M., 52 vjeçe, banuese në Bilisht, e cila pas marrjes së mjekimit në spitalin e Bilishtit, u largua në banesë.
Shtetasi M. M., pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas u identifikua dhe shoqërua nga shërbimet e Policisë.