Nga: ORNELA MANJANI
TIRANE – Rritja e tarifës së sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike në masën 20% ka ardhur si rrjedhojë e taksës kombëtare për sigurimet (nga 3% në 10%), dhe jo si pasojë e ndryshimit të nivelit të primit të sigurimit bazë. Ndërkohë që, dëmet e papaguara për aksidentet e shkaktuara nga mjetet që kanë sigurimin e detyrueshëm TPL janë 1.3 miliardë lekë. Të dhënat janë bërë të ditura nga drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkeleda Shehi, dje në Komisionin e Ekonomisë.
Raportimi
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë në lidhje me veprimtarinë e vitit 2015. Ra-portimi u shoqërua me debate të shumta mes drejtuesve të AMF-së si dhe deputetëve të komisionit në lidhje me aftësinë paguese të shoqërive të sigurimit që operojnë në tregun e Jo-Jetës. Sipas drejtores së përgjithshme ekzekutive, Enkeleda Shehi, rritja e tarifave të MTPL-së që ndodhi në fund të gushtit erdhi si pasojë e rritje së taksës kombëtare për sigurimet, dhe jo si pasojë e ndryshimit të nivelit të primit të sigurimit bazë. AMF-ja ka shprehur pakënaqësi edhe në lidhje me raportimin e bërë nga relatori Anastas Angjeli, duke e konsideruar si të pabazuar dhe të paazhurnuar. “Të gjitha institucionet duhet të punojnë së bashku për të ulur numrin e makinave të pasiguruara. E dyta, ky fond nuk mbulohet vetëm nga kompanitë e sigurimit, por i detyruar është edhe personi që shkakton aksidentin, i pasiguruar. Ai është i pari që duhet të bëjë pagesën e të pasiguruarit”, – u shpreh Enkeleda Shehi, drejtore ekzekutive e AMF-së.
Gjobat
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kërkon që edhe paratë e mbledhura nga gjobat e policisë rrugore për mungesë të siguracionit të derdhen në fondin e përbashkët të shoqërive të sigurimit. “Një burim tjetër për të financuar këtë fond janë edhe gjobat e mbledhura nga policia për makinat e pasiguruara. Ky fond asnjëherë nuk është transferuar në këtë buxhet”, – thotë Shehi. Enkeleda Shehi tha se ndërkohë gjykatat kanë vendosur dëmshpërblime duke tejkaluar normat ligjore, çka ka ndikuar në rritjen artificiale të dëmeve të papaguara.
Analiza
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar-qershor 2016 arritën rreth 3,879 milionë lekë, ose 6.39% më shumë se në periudhën janar-qershor 2015. Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor 2016 pati një rritje prej 4.10% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.20% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Ndërkohë, vetëm gjatë muajit janar 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 74,401, me një rritje prej 2.06% krahasuar me muajin janar 2014. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.30% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.70%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.98% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.02% të totalit të tregut. Gjatë muajit janar 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 216 milionë lekë, ose 7.00% më shumë se në muajin janar 2014.
Polica TPL
Kompanitë e sigurimit kanë rritur me 20% tarifën për sigurimin e detyrueshëm të makinave, brenda një ditë dhe me thuajse të njëjtën vlerë. Çmimet shkuan mesatarisht 18.500 lekë për policë. Vlera e rritja ishte e njëjtë për të gjitha tipet e automjeteve. Vlera minimale e një TPL-je është motoçikleta nën 150 cm3, e cila shkoi në 6.804 lekë, nga 5.660 lekë që ishte të martën, dhe vlera më e lartë 19.044 lekë, për automjetet e prodhuara para 2006-ës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: