FRANCË- Drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde do të përgjigjet përpara drejtësisë në Francë duke filluar nga dita e sotme me akuzën për neglizhencë të dyshuar që mendohet të ketë çuar në një shpërdorim gjigand të parave publike në kohën kur ishte ministre e Ekonomisë në Francë.

Në fund të procesit që pritet të fillojë në orën 13:00 dhe të vazhdojë deri më 20 dhjetor, ajo rrezikon të marrë një dënim që shkon deri në një vit burg dhe një gjobë prej 15 000 eurosh.

“U përpoqa të bëj punën time sa më mirë që ishte e mundur dhe deri në kufijtë e asaj që unë dija”, u shpreh Lagarde, 60 vjeçe, në një reportazh të transmetuar të dielën në mbrëmje në televizionin France 2.

“Neglizhenca është një krim jo i qëllimshëm. Mendoj se të gjithë jemi pak neglizhentë diku në jetë”, shtoi ajo.

Kreu i institucionit financiar ndërkombëtar pritet të paraqitet përpara Gjykatës së Drejtësisë së Republikës (CJR), e krijuar posaçërisht për të gjykuar ministrat dhe ish-ministrat për shkelje të kryera gjatë ushtrimit të detyrës.

Që prej krijimit në vitin 1993, CJR ka dënuar tre anëtarë të qeverisë. Në fillim të dhjetorit, drejtësia franceze dënoi ish-ministrin e Buxhetit të presidentit socialist François Hollande, Jérôme Cahuzac, për mashtrim fiskal dhe pastrim parash.

Christine Lagarde gjithmonë është shprehur se “ka vepruar me ndershmëri” dhe avokatët e saj kanë bërë të ditur tashmë se do të kërkojnë një shtyrje, ndërkohë që një proces hetimor është në vijim lidhur me një element tjetër të kësaj afere kolosale.

Ish-ministrja franceze e Ekonomisë dhe Financave (2007-2011) gjatë mandatit të presidentit të djathtë Nicolas Sarkozy akuzohet për “neglizhencë” në administrimin e një çështjeje ku përfshihej biznesmeni dhe ish-ministri i majtë Bernard Tapie.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: