LEZHE– Kryeministri Edi Rama thotë se drejtorët e rinj në drejtoritë e Burgjeve, të Hipotekave, apo edhe në sektorë të tjerë, do të jenë tre muaj në provë. Nga një komunikim me mediat, pas mbledhjes së qeverisë në qytetin e Lezhës, kryeministri Rama tha se gjatë këtyre muajve do të shihen rezultatet që do të arrijnë.

“Me riorganizim kuptoj disa gjëra që po ndodhin dhe janë ende për t’u zhvilluar .Së pari uljen drastike të kohës dhe të shpenzimeve të qytetarëve për marrjen e shërbimeve nga zyrat e shtetit. Kjo përmes kalimit të shumë proceseve online. Nga ana tjetër synojmë uljen drastike të dokumenteve të panevojshëm, çdo ministri po heq dokumente, autorizime, licenca, etj; që do të thotë po shkurtohet shumë ndjeshëm masa e kontakteve midis qytetarëve dhe administratës. Jam i bindur që po bëhet progres, por di që do duhet ende kohë.

Mos harroni se të gjitha pozicionet që ne po bëjmë ndryshime kanë kushtin e provës. Kemi drejtorë të rinj në spitale, janë tre muaj në provë. Kemi drejtorë të rinj në burgje, në hipotekë, etj; janë 3 muaj në provë. Është një sfidë. Padyshim janë gjëra që nuk mund t’i ndërrojnë sot për nesër, sa hap e mbyll sytë, dhe nuk është diçka që lidhet me emrin e partisë. Ka nivele të ndryshe të përgjegjësisë, por çështja është e thjeshtë, t’i gjejmë punës njeriun. Në harkun e këtij mandati, ndryshimi do të jetë shumë i ndjeshëm”, u shpreh kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: