I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, drejtori i Përgjithshëm i AKU Bledar Skënderi ka folur për masat që ka ndërmarrë autoriteti që drejton në monitorimin e vajit të palmës, që nga importi, tek pikat e shumicës e deri tek operatorët e biznesit ushqimorë.

“Shifrat e vajit të palmës përgjatë vitit 2021, janë gati 2 mijë ton të futur në Shqipëri. Kam marrë disa evidenca dhe më rezulton se në 2017 është importuar në vendin tonë sasia 5054 ton, pra kemi një rënie të sasisë së vajit të palmës së futur, për shkak të përmirësimit të kontrolleve zyrtare të AKU për përdorimin e vajit të palmës. Vaji i palmës nuk është produkt i ndaluar apo i rrezikshëm, prodhohet kryesisht në Indonezi dhe importuesi i dytë më i madh pas Indisë janë shtetet europiane që e konsumojnë. Në futjen në fuqi të rregullores në vitin 2014, u vendos të mos futej tek grupi i madh i yndyrave bimore, po të cilësohej në etiketa ushqimore si vaj palme. Vaji i palmës është produkti që ka përqindjen më të lartë të acideve yndyrore të ngopura. Konsumimi i tepërt i vajit të palmës sidomos në pjesën e produkteve të gatshme, për skuqje është i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë kolesterol të keq. AKU me hyrjen në fuqi të VKM të re për etiketimin të 2018 ka bërë luftë të vazhdueshme si për të ndërgjegjësuar konsumatorin, ashtu edhe operatorët e biznesit ushqimor për t’iu përmbajtur deklarimeve që ka etiketa në bazë të VKM 434. Nëse nuk është asnjë problem që një produkt të ketë vaj palme, atëherë ai produkt duhet ta shkruajë në etiketë.

Nuk quhet më mozzarela, por një emër tjetër që mund ta përzgjedhë. Nga rreth 879 etiketa të miratuara për produkte me bazë bulmeti, kemi 7 etiketa të cilat e kanë të deklaruar vajin e palmës, kryesisht për salcat për produktet e përbëra, jo për qumështin. Kemi rreth 11 operatorë që prodhojnë mozzarela, pra nuk bëhet fjalë për sasi të lartë të mozzarelës në Shqipëri. Problemi që ka AKU është se këto lloj stabilimentesh i cilësojmë me risk të lartë dhe kanë frekuencën më të lartë të kontrollit. Nga gjitha kontrollet e ushtruara nga AKU, kemi gjetur vetëm një operator i cili është gjobitur për shkak të mungesës së planit HACCP dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë. Janë shtuar monitorimet që nga dogana, për të parë gjithë sasinë e vajit të palmës që hyn, për proteinën, sidomos kazeinën. Për të zbritur tek pikat e shumicës, operatorët ushqimorë dhe në bazë të Kartës Ushqimore, për të parë sasinë e blerë, sa është konsumi real dhe sa e deklarojnë këta prodhues këtë produkt”-tha drejtori i AKU Bledar Skënderi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb