TIRANË- Autoriteti Rrugor Shtetëror (ARRSH) njoftoi sot se rruga kombëtare Tiranë-Elbasan do të vijojë të mbetet e bllokuar pasi situata paraqitet ende e rrezikshme.

Në një prononcim, drejtori i ARRSH, Dashamir Gjika tha se me banorët e fshatit Ibë nuk ka asnjë mosmarrëveshje dhe ata po lidhin kontrata qiraje me firmën që kryen punimet për autostradën Tiranë-Elbasan.

“Situata paraqitet e rrezikshme, rruga do vijojë të jetë e bllokuar. Me banorët nuk ka asnjë mosmarrëveshje. Banorët po lidhin kontrata qiraje me firmën. Po shikohet mundësia për një rrugë provizore”, ka deklaruar Drejtori i ARRSH-së, Dashamir Gjika. Përsa i përket videos që tregon shpërthimet që ka bërë firma përgjegjëse me eksploziv, Gjika ka refuzuar të prononcohet. “Nuk mund të them asgjë”, është shprehur ai.

 

Për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu, rruga Tiranë-Elbasan u bllokua 4 ditë më parë, ndërsa u evakuuan nga banesat rreth 30 familje. Banorët e fshatit Ibë akuzuan firmën që kryen punimet për rrëshqitjen, pasi sipas tyre ajo ka kryer shpërthime.

 

(mi.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb