TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit dhe Kulturës në Komisionin Evropian, Xavier Prats Monne i ka dërguar një letër Ministres se Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në lidhje me miratimin e Ligjit për Arsimin e Lartë në Parlament.
Monne përgëzon ministren për miratimin e projektligjit nga parlamenti dhe ofron mbështetjen e tij dhe të KE-së për implementimin e këtij ligji dhe për çdo bashkëpunim.

LETRA E PLOTË
“E dashur Ministre! Më lejoni t’ju përcjell përgëzimet e mia në lidhje me miratimin e projektligjit të Arsimit të Lartë në Parlament.
Ju keni drejtuar një proces tepër të gjatë, të vështirë dhe kompleks mbledhjesh faktesh e argumentesh, duke u konsultuar me të gjithë grupet e interesit dhe politikbërësit, ku dhe unë personalisht, kam qenë dëshmitar sesa shumë ju dhe Kryeministri Edi Rama keni investuar personalisht në këtë përpjekje të madhe. Ndaj duhet të jeni krenare për çka keni arritur. Gjithashtu, e di se ky është vetëm fillimi, jo fundi. Që nga diskutimi ynë në Tiranë, tani që ligji i ri po shkon drejt implementimit, kjo mbetet sfida e radhës. Por unë nuk kam dyshime, se ju do të tregoni sërish që jeni të aftë për të mbajtur barrë mbi supe. Ne do t’ju ndjekim nga afër në hapat tuaj të radhës dhe, ndoshta e panevojshme për ta thënë, ne do të qëndrojmë në dispozicionin tuaj për bashkëpunime të mëtejshme. Ju përcjellim përshëndetjet tona të përzemërta nga Brukseli”, shkruan Xavier Prats Monne.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb