Drejtori I Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, Vladimir Pistalo, një prej personazheve të njohur të jetës kulturore serbe, po viziton Tiranën në kuadër të vendosjes së raporteve të reja kulturore mes Shqipërisë dhe Serbisë. Vizitën e parë ai e bëri në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku u takua me drejtoren e QKLL-së Alda Bardhyli, shkrimtarë dhe botues të pranishëm. “Arti dhe kultura duhet të shërbejnë si ura bashkëpunimi, njohjeje të ndërsjellë dhe mirëkuptimi midis popujve ballkanikë. Jo vetëm midis serbëve e shqiptarëve, por edhe të vendeve të tjera. Rruga e hapur nga ky takim mund e duhet ndjekur me takime të tjera të ngjashme”, tha drejtorja e QKLL-së Alda Bardhyli. Pistalo u shpreh se kjo vizitë është në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur ndërmarrë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Kjo nismë është e rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e ekonomive, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të kapitaleve, por dhe për shkëmbimet kulturore e artistike. Ndër to një peshë të veçantë përfton bashkëpunimi mes institucioneve kulturore të të dy vendeve siç janë dhe QKLL dhe BK e Serbisë”, tha Pistalo. Ai vlerësoi nismën e Balkanit të hapur nga kryeministri I Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se kjo është një nga lëvizjet më ambicioze në rajon, nga e cila rajoni do të dalë më I zhvilluar. “Le ta themi qysh në krye, në njëqind e vjet e këndej vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë pasur projekt më emancipues”, tha ai. “Është fakt që sot e kësaj dite shqiptarët dhe serbët kudo që ata jetojnë në viset e Ballkanit janë dy popuj të rëndësishëm. Iu takon atyre të hedhin një hap përpara dhe të krijojnë atë sinergji të rëndësishme artistike e kulturore e domosdoshme për t’i afruar popujt me njëri – tjetrin dhe, nga ana tjetër, për të lënë pas dramat e konfliktet e së shkuarës. Të dy popujt tanë duhet të bëjnë as më pak, as më shumë atë që para shumë vjetësh bën francezët e gjermanët për të shëruar plagët e dy luftrave botërore; të bashkëpunonin jo vetëm politikisht e ekonomikisht, por edhe në fushën e artit dhe të kulturës, duke hedhur themelet e asaj që ne sot e quajmë Bashkim Europian dhe ku aspirojmë të integrohemi”, tha Pistalo. Ndërsa drejtorja e QKLL-së u shpreh se “Arti dhe kultura, në radhë të parë letërsia e shkrimtarët, janë instrumenti më i mirë për të shembur një herë e përgjithmonë rrënojat e së kaluarës dhe për t’i ndihur integrimit mes nesh dhe atij në familjen e madhe europiane”. Ndër pikat e paraqitura si nisje e këtij bashkëpunimi, zoti Pištallo veçoi:

Punën e ngritur për krijimin e një antologjie të përbashkët me tri autorë shqiptarë dhe tri autorë serbë, në gjuhë shqipe dhe serbe; Në mbështetje të projektit Open Ballkan midis dy vendeve, nisja e një perspektive për projekte kulturore në fushën e librit dhe të arteve midis dy vendeve dhe hartimin e programeve të përbashkëta në ndihmesë të autorëve shqiptarë për përkthimin e veprave të tyre në gjuhën serbe dhe anasjelltas; Propozimin për një ribotim të plotë të veprës së Ismail Kadare, si një prej shkrimtarëve më përfaqësues shqiptarë, por edhe të rajonit. Pistalo tha se Kadare është një nga autorët më të rëndësishëm në botë sot, dhe cmimi Nobel për të do të thoshte shumë për rajonin e ballkanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb