Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, James Clapper tha të mërkurën se i kishte thënë presidentit të zgjedhur Donald Trump, se dokumenti me pretendimet se Rusia kishte mbledhur informacione kompromentuese për zotin Trump nuk ishte hartuar nga agjencitë amerikane të zbulimit.

Rrjeti CNN, i cili njoftoi së pari për akuzat e pavërtetuara të martën, nuk dha hollësi mbi informacionet kompromentuese që kishte Rusia. Por media dixhitale BuzzFeed, publikoi në internet atë që thotë se ishte raporti i plotë ku supozohet se qeveria ruse kishte “mbështetur dhe ndihmuar zotin Trump” për vite.

Në deklaratën e tij zoti Clapper tha se komuniteti i zbulimit nuk ka bërë ndonjë gjykim se informacioni është i besueshëm dhe se ai i theksoi zotit Trump se nuk beson se informacioni ka dalë në media nga burime të zbulimit.

Zoti Clapper tha se është pjesë e detyrës së tij të sigurojë që politikë-bërësit të kenë një pasqyrë sa më të plotë të çështjeve që mund të ndikojnë mbi sigurinë kombëtare.

Zotit Trump iu dha një përmbledhje e informacionit dy-faqesh të premten e kaluar, kur ai u informua gjithashtu për informacionet secrete për ndërhyrje të dyshuar të rusëve në zgjedhjet presidenciale amerikane. Presidenti Barack Obama u informua për të njëjtën çështje të enjten.

Zoti Trump i hodhi poshtë me zemërim pretendimet gjatë konferencës së parë të shtypit që dha të mërkurën si president i zgjedhur.

“Mendoj se është turp që informacioni u lejua të dalë. E pashë informacionin. E lexova pas takimit. Ishte lajm i rremë. Kjo nuk ka ndodhur”, tha zoti Trump.

Avokati i presidentit të zgjedhur, Michael Cohen, u tha gazetarëve se akuzat në dokument janë të pavërteta dhe janë shpikur për të dëmtuar zotin Trump.

Në Moskë, Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, tha të mërkurën se akuzat synojnë të dëmtojnë marrëdhëniet SHBA-Rusi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb