Gati 5 muaj më parë, kur Gledis Nano u emëra Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, prej shumëkujt ky vendim i qeverisë nuk u pa si një akt administativ për të zëvendësuar njërin drejtues me pasardhësin, por më shumë se kaq, u mendua si një mesazh ndryshimi në koncept dhe në frymën e drejtimit të organizatës së Policisë së Shtetit.

Duke i dhënë përparësi profesionalizmit dhe integritetit, ndershmërisë dhe vendosmërisë në zbatimin e ligjit, emri i drejtorit të ri të Policisë së Shtetit me të drejtë krijoi pritshmëritë se ky model do të shndërrohej në një standard qasjeje në atë se si do të perzgjidheshin edhe drejtuesit e tjerë të policisë, me synim rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe të bashkëveprimit të tyre me policinë e shtetit, pasi kushti i parë i suksesit të një drejtuesi është fryma e ekipit dhe respekti i integritetit dhe profesionalizmit të gjithësecilit.

Policimi në komunitet nuk është thjeshtë prania e punonjësit me uniformën e policit atje ku jeton dhe punon secili prej nesh, por është qytetari dhe etikë, është respekt dhe ndershmëri e ndërsjelltë, prej nga ku lind besimi, mbështetja dhe vlerësimi, pa të cilin misioni i policit mbetet e kompromentuar.

Gledis Nano u shndërrua pa dashjen e vet, po prej pritshmërive të qytetarëve në një referencë, në modelin se si e duam policinë, larg disa modeleve që përveç uniformës, asgjë tjetër nuk i lidh me Policinë e Shtetit.

Të njohur edhe prej vetë efektivava, disa drejtues servilë e mediokër, të pakulturuar dhe injorantë jo vetëm profesionalsisht por edhe në treguesit e kulturës së përgjithshme, vazhdojnë t’i krijojnë kosto Policisë së Shtetit dhe e kompromentojnë imazhin dhe besueshmërinë e saj në publik.

Riciklimi i tyre nga një post në tjetrin për asnjë meritë profesionale, por vetëm prej lidhjeve klienteliste e korruptive, është një prej dukurive më të shëmtuara në Policinë e Shtetit, pasi kjo kastë e korruptuar shërben edhe si pikëlidhjeje me strukturat kriminale, ndyen e përbalt emrin e policit si shërbëtor i shtetit në zbatim të ligjit.

Me emerimin e drejtorit te ri te policise, u krijua idea se ndryshimet do te sillnin nje lidership te ri ne Policine e Shtetit edhe ne perputhje me pritshmerite e publikut, por më shumë për të rritur besimin tek profesionistët e rinjt e të zotë.

Por me sa duket jo gjithçka eshtë projektuar per te qene ne nivelin e pretendimeve dhe të pritshmerive të Drejtorit të Përgjithshëm, sepse me sa duket atë nuk po e lenë e për më keq, po e detyrojnë të rikthehet tek te njejtet emra, nga ata që qarkullojnë sa nga një drejtori në tjetren pa prodhuar asgjë e madje, një pjesë e të cilëve kanë qenë drejtues e janë përgjegjës edhe për kanabizimin e vendit në periudhën 2016-2017 e tëhu.

Ish ministri i brendshem perfundon ne burg bashkë me një drejtor policie qarku, nderkohë që nese ministri ka kryer shperdorim detyre me veprimet apo mosveprimet e tij, po Drejtoria e Pergjithshme e Policise çfarë ka bërë gjatë asaj kohe, kur ligjërisht ministri nuk ka asnjë tagër mbi emërimet në polici dhe mbi veprimet operacionale të saj?

Ndaj sfida e po aq edhe përgjegjësia e madhe e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është ndarja përfundimisht e organizatës nga e gjithë ajo trupë drejtuesish që lejuan me veprimet apo mosveprimet e tyre kanabizmin e Shqipërisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të “prodhojë” vetveten si model, si formin, si pergjegjësi dhe angazhim ndaj detyrës në të gjitha nivelet e drejtimit të organizatës.

Ai ka me vete besimin qytetar.

“Riciklimi i mbetjeve” nga njëra zyrë në tjetrën e drejtorëve të kanabizimit, do të sjellë zhgënjimin e më tej, edhe rrënimin e besimit të qytetarëve ndaj policisë.

Gledis Nano ka në dorë të ndajë sot se nga do të anojë balanca mes besimit tek policia apo zhgënjimit prej saj.

Formimi i tij, karriera e derisotme, gjurmët që ka shënjuar përgjatë saj, vizioni dhe guximi që nuk i mungojnë, por edhe lidhja shpirtërore me organizatën të cilën nuk mund ta drejtosh nëse nuk e do dhe modeli i babait që ka shërbyer me ndershmëri dhe profesionalizëm nën atë uniformë të shenjtë, ia bëjnë të lehtë zgjedhjen.

Policia është e shtetit, nuk është e pushtetit.

Shenjtëria e uniformës dhe sakrifica e punonjësve të saj, dëshmorët por edhe kolegët e tyre në detyrë apo në rezervë, të gjithë njerëzit me uniformë por edhe të tjerët që e kanë lidhur jetën me shërbimin në Policinë e Shtetit, kanë nevojë për drejtues të zotë, të aftë, të devotshëm dhe të pakorruptueshëm që kanë në mendjen e tyre vetëm kultin e ligjit dhe ndjenjën e shërbimit ndaj qytetarëve.

Policia që duam duhet të bëhet e tillë.
Ne nuk mund ta duam prej predikimit, por do ta duam prej shërbimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: