Shkarkimin e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Agron Hetoja, dhe emërimin e Robert Lilit, inxhinier mekanik, në OSHEE në Gjirokastër, e kanë komentuar në emisionin “Alert” në, News24, ish-drejtori i Vlerësimit të Riskut në AKU, Besnik Jakaj, dhe mjeku veteriner, Dritan Laçi.

Ish-drejtori në AKU, Besnik Jakaj, u shpreh se deri më tani janë ndërruar 6 drejtorë të AKU-së që nuk kanë patur asnjë lidhje me AKU dhe sigurinë ushqimore. Duke mos patur asnjë njohje me fushën, Jakaj tha se kjo e përkeqëson situatën, për të cilën shprehet se ka ngritur disa herë shqetësimet e tij.

Ndërsa mjeku veteriner Dritan Laçi shprehet i keqardhur se në krye të AKU-së është emëruar një person me profesion inxhinier mekanik, në OSHEE në Gjirokastër. Me këtë emërim, sipas Dritan Laçit AKU nuk do të ketë rritje, zhvillim, përmirësim apo cilësi. Sipas tij, në krye të AKU-së duhet të ketë profesionistë, njerëz që i përksasin fushave, pasi vetëm kjo do të përmirësonte gjendjen dhe situatën në të cilën ndodhet siguria ushqimore në Shqipëri.

Emërimin e Robert Lilit në krye të AKU, Jakaj dhe Laçi e lidhin me çështje partiake.

“Emërimi i Robert Lilit fatkeqësisht lidhet me zonën elektorale të minsitrit të Bujqësisë Bledi Çuçi, që nuk është aspak normale. Ku janë mjekët, teknologët, veterinerët, që kanë njohje për sigurinë ushqimore? Partia duhet të ketë edhe profesionistë jo vetëm ushtarë”, u shpreh Besnik Jakaj.

“Ka ardhur koha që politikanët të mbledhin mendjen, ushqimin e konsumojnë si të majtë edhe të djathtë, prandaj duhet te fokusohemi te siguria ushqimore, e cila është një element mjaft me rëndësi për mirëqënien dhe jetëgjatësinë”, u shpreh mjeku veteriner, Dritan Laçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb