Partizani po pëson dhe pritet të pësojë ndryshime të tjera në këtë merkato dimri. Udhëheqësi i lëvizjeve të Partizanit këtë periudhë është Dritan Dervishi, i cili është emëruar së fundmi drejtor teknik. Ai ka dhënë një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ku ka folur mbi gjithë zhvillimet e klubit.

Riktheheni te Partizani. Si e shihni situatën dhe si ndiheni?

Ndihem si në shtëpinë time në këtë klub, sepse e njoh shumë mirë dhe ky është një favor i madh për mua. Në këto momente situata është shumë e mirë sepse nuk e di si ka qenë më përpara. E vetmja gjë që na mungon janë pikët, që besoj se me ndihmën e me gjithë lojtarëve, stafit, drejtorit të përgjithshëm, presidentit e tifozëve do t’i rikuperojmë.

Demi nga jashtë njihet si president që u plotëson çdo dëshirë drejtuesve dhe stafit teknik. Ju që tashmë jeni pjesë e klubit, mund të na e konfirmoni këtë?

Presidenti dhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, më kanë dhënë mua dhe stafit teknik dorë të lirë që të veproj në merkato për të përforcuar ekipin dhe i falënderoj për këtë. Do të mundohemi që edhe ne t’ia shpërblejmë me prurjet e duhura në merkato dhe me pikët që do marrim në fushë.

Emëruat Dritan Mehmetin, i cili ishte pjesë e klubit, në një kohë kur trajnerë të njohur dhe me përvojë të madhe në futbollin tonë ishin të lirë dhe të gatshëm t’ju bashkoheshin. Përse erdhi kjo zgjedhje?

Këtu dua t’ju kundërshtoj, sepse Dritan Mehmeti ishte zgjidhja më e mirë. Kemi vendosur unanimisht bashkë me presidentin Demi dhe drejtorin, Olsi Rama. Është një trajner i kompletuar, profesionist dhe një djalë i rezervuar, prandaj edhe të tjerët nuk e njohin shumë atë dhe cilësitë e tij. Shumë shpejt do i njihni aftësitë e tij dhe të stafit, që ai ka pas.

Para se ju të bëheshit pjesë e klubit, trajneri Daja u largua. Ç’mendim keni për të dhe çfarë nuk shkoi te Partizani nën drejtimin e tij?

Ilir Dajën e njeh e gjithë Shqipëria se është një nga më të mirët në vendin tonë. E vetmja gjë që nuk shkoi me Dajën mendoj se janë pikët. Ato janë pasqyrë e punës së çdo njeriu, është e kotë të fshihemi, pikët larguan një nga trajnerët më të mirë të Superligës.

Dje është larguar zyrtarisht nga ekipi Emiljano Musta, i cili ka luajtur rregullisht dhe kjo krijoi paqartësi. Çfarë ndodhi me të?

Unë isha prezent kur folëm të gjithë bashkë. Është vendim unanim i stafit teknik dhe nuk mund të komentoj. Është zgjedhje e tyre. Nëse ne duam të punojmë si profesionistë, duhet të respektojmë zgjedhjet e stafit teknik dhe të presidentit. Ne jemi aty vetëm për të ndihmuar trajnerin ta bëjë punën më mirë, jemi në shërbim të tyre. Tani nuk e di a ka qenë më i miri a më i dobëti Musta, por është një zgjedhje teknike. Tifozët të rrinë të qetë sepse nuk do të qëndrojë bosh ai rol. Do të vijë mbrojtësi Fernandinjo, të cilin stafi e ka parë dhe e ka pranuar, tani na mbetet ta shohim në fushë. Por, ai nuk do të jetë i vetmi sepse gjëja e parë që thotë trajneri Mehmeti është që të gjithë lojtarët të luajnë në rolet e tyre. Kështu që ne do të firmosim edhe me një mbrojtës që luan në të majtë dhe në të djathtë.

Ka ardhur Skuka, do të jetë i vetmi përforcim apo do të sillni edhe një qendërsulmues tjetër për t’i bërë konkurrencë atij dhe për të rritur cilësinë e ekipit?

Vetë loja e futbollit është konkurrencë në çdo rol. Në do të shohim mundësitë që na jep tregu, por Skuka është një lojtar i vlefshëm për ne dhe një lojtar që do të demonstrojë që golat e bërë në Kategorinë e Parë, do t’i bëjë edhe në Superiore. Për këtë jam i sigurt.

Për Kallakun u interesuan shumë ekipe të Superiores. Sa të vështirë e kishte Partizani për të mbërritur tek ai?

Kallaku është lojtari më i mirë i Superiores në rolin e tij, pjesë e kombëtares gjithashtu. Nuk e kishim fare të vështirë sepse Kallaku është djalë i Partizanit, i rritur në këtë klub dhe ishte e thjeshtë. Gjithashtu na ndihmoi edhe familja e tij për një rikthim te të kuqtë.

Bitri kishte disa oferta të tjera në Superiore dhe zyrtarizimi i tij ndoshta vonoi pak…

Bitrit, sikur t’i vijë çdo ekip nga Superiorja, do e refuzonte dhe këtë ua jap me siguri. E falënderoj përzemërsisht për atë që bëri, sepse na e bëri më të thjeshtë nënshkrimin e kontratës sepse ai refuzoi skuadra, që i jepnin më shumë se ne. Ai për dashurinë e fanellës, klubit dhe tifozëve, për dy minuta vendosi të pranojë të firmosë kontratën.

Përveç mbrojtësit të majtë dhe një sulmuesi, mendoni për përforcime të tjera?

Në ditët në vazhdim do të kemi ndonjë surprizë, por jo të madhe të themi. Do të kemi një qershi mbi tortë, dhuratë që do të na e bëjë presidenti dhe drejtori i përgjithshëm, që janë në kontakt të vazhdueshëm me ne.

Meqenëse emrin nuk mund të na e thoni, dhurata e presidentit do të jetë në pozicionin e sulmit?

Është një surprizë e zgjedhur nga stafi dhe ka pasur mbështetjen e presidentit Demi. Është një dhuratë në repartin e sulmit.

A do të ketë më rikthime te Partizani?

Është përfolur Çinari. Nuk dua të flas me emra konkretë, por dua të konfirmoj se nuk do të ketë më rikthime të ish-lojtarëve të Partizanit në këtë merkato. Klubi i Partizanit është mbi të gjitha dhe sikur Mesi të ishte, nëse nuk ka miratimin e shumë faktorëve, nuk ka shans të vijë në ekipin tonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: