TIRANE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e Teatrit Kombëtar, ku protagonist është bërë kreu i këtij institucioni, Hervin Çuli. Mësohet se ky i fundit ka sulmuar fizikisht gazetarin e Abc News, Eni Shehun.

Të ftuar si gjithë mediat e tjera në premierën e shfaqjes “Tri Motrat”, dedikuar gazetareve, grupi i Abc News ishte i pranishëm për të filmuar për kronikën. Në pushimin e shkurtër mes akteve të shfaqjes, gazetari i Abc News Eni Shehu, teksa ishte i shoqëruar nga kolegë të shumtë në hollin e Teatrit Kombëtar, është sulmuar fizikisht nga drejtori Hervin Culi së bashku me asistentët e tij. Më pas ata arritën ta nxjerrin gazetarin Shehu jashtë godinës së Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë, redaksia e televizionit Abc News ka reaguar lidhur me këtë akt të rëndë, ndërsa i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama si dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro shkarkimin e drejtorit Çuli.

“Abc News e dënon këtë sulm të rende dhe të paprecedente ndaj gazetarit, që cenon lirinë e ushtrimit të këtij profesioni. Pas këtij akti Abc News i kërkon kryeministrit Rama dhe ministres së Kulturës, Kumbaro shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Culi. Po ashtu Abc News bën të ditur se do të vërë në dijeni të kësaj ngjarje të gjitha organizatat që mbrojnë të drejtat e medias dhe gazetareve ne Shqipëri dhe ato ndërkombëtare. Këtë sulm të drejtorit të Teatrit Kombëtar ndaj gazetarit Eni Shehu, televizioni Abc News do ta ndjekë deri në fund për të vendosur drejtësinë.”, citohet në deklaratën e televizionit informativ Abc News.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: